Maqedoni
Milloshovski publikon kërkesat për kontroll, PSP: Informatat rreth hetimit, janë sekrete
04.04.2017 15:39
Prokuroria speciale publike, ka hapur njëkohësisht një numër të madh procedurash parahetimore kundër personave juridikë e fizikë...

Prokuroria speciale publike, ka hapur njëkohësisht një numër të madh procedurash parahetimore kundër personave juridikë e fizikë, që kanë si qëllim kontrollimin e gjendjes pronësore të të gjithë personave për të cilët janë hapur procedura dhe për punën e përgjithshme të tyre financiare.
Për këtë qëllim, PSP ka dërguar një numër i madh kërkesash në institucione të ndryshme, me paralajmërimin se të dhënat e kërkuara kanë të bëjmë me procedurë parahetimore.
Nga PSP kërkojnë që institucionet të marrin masa e të mos lejojnë publikimin e të dhënave për procedura parahetimore, pasi këto procedura janë të fshehta në bazë të dispozitave ligjore. Për PSP-në, është e palejueshme që institucione të caktuara, t’u lejojnë personave që po hetohen nga Specialja, ta shohin kërkesën e Prokurorisë dhe të zbulojnë informata rreth hetimit.
Sqarimi i PSP-së vjen pas postimit në Facebook, nga ana e deputetit të VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski, të dy kërkesave të PSP-së për kontroll, të dërguara në Agjencinë për Aviacion Civil dhe Regjistrin Qendror.
Specialia nga Agjencia për Aviacion Civil kërkon të dhëna, nëse Milloshoski nga 1 janari i vitit 2008 deri më 31 dhjetor të vitit 2015 ka qenë pronar ose shfrytëzues i avionëve. Nga Regjistri Qendror, për të njëjtën periudhë kërkohet kontroll të personave fizik dhe juridik, pra nëse Milloshoski ka qenë pronar, drejtues ose person i autorizuar.
LEONORA KALIQI

