Maqedoni

Filloi manifestimi "Ditët e zejtarisë 2014"

22.05.2014 16:27

Ajo që e bën gjithnjë e më të veçantë Çarshinë e Vjetër të Shkupit, janë zejet...

Ajo që e bën gjithnjë e më të veçantë Çarshinë e Vjetër të Shkupit, janë zejet.
 
Zejtarët që ndodhen në këtë pjesë të Shkupit, brez pas brezi kanë trashëguar profesionin, gjë që ka ndikuar jo vetëm në kultivimin e zejes, por edhe në tërheqjen e vizitorëve të huaj, u tha gjatë aktivitetit të sotëm të mbajtur me rastin e hapjes së “Ditëve të Zejtarëve”.
 
“Me zanat mund të sigurohet ekzistenca për veten dhe familjen, të rinjtë nuk duhet të hezitojnë, por në raste kur kanë talent për një zeje, të vazhdojnë të punojnë në këtë drejtim”, deklaroi drejtori i Dhomës së Zejtarëve, Nikolla Petrov.
 
Zejtarët e zejeve të ndryshme prezantuan prodhimet e tyre dhe bënë thirrje që të vlerësohen më shumë prodhimet e tyre të dorës, pasi ato pavarësisht viteve, përherë janë në hap me kohën.
 
“Ky është një prodhim që e punoj 15 vite, është pjesë e dashur e imja, është orgonit, prodhim botëror, që punohet në tërë botën, është e përbërë prej metali, gurëve, ajo ka ndikim pozitiv te njerëzit, duke ua larguar energjinë negative”, theksoi zejtarja Suzana Jovçevska.
 
Gjatë këtij aktiviteti, përveç esnafëve pjesëmarrës, nuk munguan as nxënësit e shkollave profesionale, të cilët prezantuan punën e tyre.
 
Ky manifestim organizohet për 10 vite me radhë nga Dhoma e Zejtarëve, që vepron në kuadër të Qytetit të Shkupi dhe për qëllim ka që të afirmohet puna e esnafëve dhe në të njëjtën kohë të nxiten që të mos heqin dorë nga zanati i tyre.
 
RINA TURKESHI-SAITI