Maqedoni

LSDM paralajmëron zhbllokimin e kuvendit; VMRO zgjeron debatin parlamentar me manifestin; Memedi: promovoni një manifest post zgjedhor; Remenski: kryesues, ndalo deputetët që janë ‘OUT’

04.04.2017 17:28

Pas shtatë vazhdime të seancës konstituive, LSDM parlajmëron zhbllokimin e Kuvendit...

Nuk zbulohet taktika dhe as koha se kur mund të ndodh kjo, por sipas selisë blu, 67 depuetë janë bërë bashkë për zhbllokuar Kuvendin dhe këtë vullnet nuk mund ta ndal askush. 
 
“67 deputetë dhanë nënshkrimet që të zhbllokohet Kuvendi dhe jo të bllokohet. 67 deputetë që është shumë më shumë se shumicë në Kuvend, do të mbeten në përcaktimin se Kuvendi duhet të zhbllokohet, se duhet të zgjidhet kryetar dhe se duhet të zgjidhet qeveria e re reformuese. Dhe, askush nuyk mund ta ndalojë këtë shumicë demokratike në Kuvend”, shprehet Lupço Nikollovski nga LSDM.
 
Në ndërkohë, debatit parlamentar për të ashtuquajturën “Platformë të Tiranës” iu shtua edhe debati për Manifestin e VMRO-DPMNE-së. Dallon vetëm qasja.
 
Depuetët e koalicionit të udhëhequr nga VMRO DPMNE, përderisa kërkojnë, diferencimin dhe dënimin e Deklaratës së përbashkët të partive shqiptare, promovojnë “Manifestin për Maqedoni të vetme”, edhepse, as e para dhe as e dyta nuk janë në rrend dite për diskutim. 
 
“Unë i respektoj të gjitha përpjekjet për zgjidhjen e kësaj krize, pavarësisht nga cila proviniencë vijnë. Konkretisht e përshëndes edhe Manifestin, dhe shpreh shqetësim të thellë që parti të caktuara politike, pa e shfletuar, “un bloc”, e hodhën poshtë këtë dokument”, shprehet Kërsto Mukoski nga VMRO DPMNE
 
“Moral i dyfishtë dhe qasje joparimore” – akuzoi, deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Vesel Memedi.
 
“Koha e projekteve megallomane ka përfunduar në Maqedoni. Nëse dëshironi të jeni principiel atëherë duhet të jeni principiel prej fillimi deri në fund. Shtatë ditë me rradhë na tregoni se populli nuk ka votuar për platformë. Tani, në këtë séance plenare, për së dyti herë promovoni një program, një dokument që titullohet manifest që është post zgjedhor, që populli nuk e ka votuar”, shprehet Vesel Memedi nga Aleanca për Shqiptarët.
              
LSDM sërish ftoi kryesuesin me seancën konstituive që të respektojë Rregulloren dhe të ndalojë debatin maraton jashtë rrendit të ditës. 
 
“Nëse deri dje flitej për platformë, sot po flitet për Manifest. Nëse sot thirret kreu i LSDM-së për ndonjë sqarim apo mbështetje, deputetët e VMRO DPMNE-së vazhdojnë të mos flasin për çështjet që janë në rrend dite, pse Komisioni është me rëndësi. I nderuar kryesues, ju lutem, t’i paralajmëroni të gjithë deputet që nuk i përmbahen pikës në rrend dite”, shprehet Frosina Remenski nga LSDM.
 
Edhe në vazhdimin e shtatë të seancës konstituive, vazhdon përplasja mes shumicës së re parlamentare dhe koalicionit të kryesuar nga VMRO DPMNE. Përderisa kjo e fundit akuzon LSDM-në për tradhëti, pasi ka pranuar të ashtuquajturën “Platformë të Tiranës”, deputetët e shumicës së re e akuzojnë VMRO-në për krim dhe për frenimin e proceseve demokratike.   
 
SHPËTIM NUREDINI