Botë

Sulmet në Shën Petersburg, Europa nuk ndriçohet me ngjyrat e flamurit rus

04.04.2017 19:41

Objektet simbol të qyteteve europiane nuk u ndriçuan me ngjyrat e flamurit kombëtar rus...

Objektet simbol të qyteteve europiane nuk u ndriçuan me ngjyrat e flamurit kombëtar rus, në solidaritet me aktin terrorist të së hënës në Shën Peterburg ku humbën jetën 14 persona dhe u plagosën 49 të tjerë. 
 
Sipas  televizionit rus “Russia Today”, në këto qytete europiane nuk u zbatua tradita e solidaritetit, sikundër ka ndodhur gjatë suleve terroriste të viteve të fundit, në Paris, Bruksel, Stamboll, Berlin, kur për nder të viktimave, kulla Eifel në Paris apo porta e Brandenburgut në Berlin vezulluan me dritat sipas ngjyrave të flamujve të vendeve përkatëse. 
 
Autoritetet në Berlin thanë se Shën Petërburgu nuk është qytet partner, ndaj dhe nuk u pa e arsyeshme që solidariteti të shprehej në atë formë. Ndërsa nga Parisi nuk dhanë asnjë shpjegim.
 
Solidaritetin e ka shprehur vetëm Tel Avivi. Kryebashkiaku i metropolit izraelit urdhëroi që fasada e institucionit që ai drejton të ndriçohej natën e të hënës me ngjyrat e flamurit rus.