Botë
Konflikti në Siri, Rusia dhe Asad mohojnë masakrën kimike, mblidhet K. i Sigurimit
05.04.2017 11:34
Një ditë pasi një sulm i dyshuar me armë kimike në Siri u mori jetën 72 personave në mesin e të cilëve edhe 20 fëmijë...

Një ditë pasi një sulm i dyshuar me armë kimike në Siri u mori jetën 72 personave në mesin e të cilëve edhe 20 fëmijë, ndërkohë që u shkaktoi komplikacione shëndetësore qindra të tjerëve, Këshilli i Sigurimit pranë OKB-së, ka thirrur një mbledhje urgjente për të diskutuar në lidhje me këtë ngjarje.
Perëndimorët kanë akuzuar qeverinë e Presidentit Bashar al-Assad dhe Rusinë për sulmin, ndërkohë që nga ana tjetër, Ministria ruse e Mbrojtjes dhe forcat qeveritare siriane kanë mohuar përdorimin e armëve kimike.
Ata janë shprehur se një bombardim i forcave ajrore të Sirisë kishte goditur një bazë ushtarake të rebelëve, në të cilën ndodheshin edhe substancat helmuese. Tek viktimat u vunë re simptoma si vështirësi në rrugët e frymëmarrjes, skuqje të syve dhe të vjella, që përforcojnë provat se vdekja e tyre ka ardhur për shkak të përdorimit të armëve të ndaluara. Mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, u thirr nga Franca dhe Mbretëria e Bashkuar. Ambasadori britanik pranë organizatës, Matthew Rycroft, e quajti incidentin një krim lufte, i cili për më tepër minon çdo përpjekje për zgjidhjen e konfliktit të Sirisë.
Reagime pati edhe nga Presidenti Trump si dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson. Këta të fundit e konsideruan ngjarjen një akt barbar dhe të tmerrshëm. Nga ana tjetër, i deleguari special i OKB-së për Sirinë, Stafan de Mistura, tha se bëhet fjalë për një sulm horror dhe se ngjarja duhet të zbardhet sa më parë. Ai shtoi se përgjegjësitë duhet të gjenden menjëherë dhe se duhet të vendosen përpara drejtësisë. Sulmi i një dite më parë në Idlib ishte një nga më vdekjeprurësit me armë kimike në Siri, që prej nisjes së konfliktit, më shumë se 6 vite më parë.
