Botë

OKB takim urgjent për sulmin në Siri, perëndimi dënon Asadin, Moska fajson rrebelët

05.04.2017 13:27

Një ditë pasi një sulm i dyshuar me armë kimike në Siri u mori jetën 72 personave përfshirë edhe 20 fëmijë ndërkohë që u shkaktoi komplikacione shëndetësore qindra të tjerëve...

Një ditë pasi një sulm i dyshuar me armë kimike në Siri u mori jetën 72 personave përfshirë edhe 20 fëmijë ndërkohë që u shkaktoi komplikacione shëndetësore qindra të tjerëve, Këshilli i Sigurimit pranë OKB-së, ka thirrur një mbledhje urgjente për të diskutuar në lidhje me ngjarjen.
 
Perëndimorët kanë akuzuar qeverinë e Presidentit Bashar al-Assad dhe Rusinë për sulmin. Shefja për politike të jashtme në BE, Federica Mogherini ka thënë se regjimi i Bashar al-Assad është përgjegjësi kryesor për sulmin e dyshuar kimik dhe se qëndrimi në pushtet i Assad-it pas përfundimit të luftës në Siri, do të ishte joreal. 
 
"Nuk është edhe ndonjë mëngjes I mirë sepse atë që pamë dje ishte e tmerrshme për të gjithë. E them këtë si politikane por para së gjithash si nënë. Pamjet nga Siria na përkujtojnë të gjithëve se kemi një përgjegjësi të bashkohemi për një mision serioz, komuniteti ndërkombëtar,aktorë rajonal por gjithashtu edhe partitë polotike në Siri për aritjen e paqes. Mjaft dhunë, mjaft luftë. Sirianët duan paqe, ata duan të shëndërrojnë vendin e tyre në demokraci dhe paqe”, Federica Mogherini, përfaqësuese e lartë e BE-së për politikë të jashtme.
 
Edhe Shtëpia e Bardhë është e sigurtë se sulmi me armë kimike në Siri është akt i qeverisë së Bashar al-Assadit. Presidenti Trump si dhe Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, e konsideruan ngjarjen një akt barbar dhe të tmerrshëm. I deleguari special i OKB-së për Sirinë, Stafan de Mistura, tha se bëhet fjalë për një sulm horror dhe se ngjarja duhet të zbardhet sa më parë. Ai shtoi se përgjegjësitë duhet të gjenden menjëherë dhe se duhet të vendosen përpara drejtësisë.  
 
Por Moska nxjerr të tjera pretendime duke theksuar se helmimi i dhjetëra vetëve në qytetin sirian të Khan Sheikhounit ishte pasojë e rrjedhjeve nga një depo armësh kimike të vet rebelëve, që ishte goditur prej avionëve të regjimit të Bashar al-Assadit. Sulmi u dënua gjithashtu edhe nga Mbretëria e Bashkuar, Kombet e Bashkuara dhe Franca, mes shumë vendeve të tjera. Sulmi i një dite më parë në Idlib ishte një nga më vdekjeprurësit me armë kimike në Siri, që prej nisjes së konfliktit, më shumë se 6 vite më parë.