Maqedoni

Europë, 40 mln me çrregullime depressive, 128 mijë vetëvrasje nga depresioni çdo vit

05.04.2017 14:32

Depresioni ndikon tek njerëzit, pa dallim të moshës, gjendjes së tyre socio-ekonomike dhe vendit ku jetojnë...

Numri i personave me depresion vazhdimisht rritet dhe ky fakt ka detyruar Organizatën Botërore të Shëndetësisë, që ditën botërore të shëndetit, t’ja kushtojë depresionit.
 
Viteve të fundit vërehet rritje e numrit të pesonave me depresion në botë, trend të cilit nuk i shpëton as vendi ynë.
 
Krahasuar me vitin 2010, në vitin 2015 është vërejtur rritje e numrit të personave me depresion, për 37%.
 
“Numri i pacientëve të trajtuar nga depresioni me kalimin e viteve vazhdon të rritet. Në vitin 2010 numri I personave të trajtuar ka qenë 585 nga të cilët 196 meshkuj  389 femra ndërsa ne 2015 numri I pacientëve ka aritur ne 803 në të cilën 257 meshkuj dhe 389 femra paraqitet një rritje për 37%”, shprehet drejtor i ISHP-së, Shaban Mehmeti.
 
Personat që vuajnë nga depresioni nuk mund t’i kryejnë detyrat e tyre profesionale dhe si pasojë e kësaj vihet në pikëpyetje ekzistenca e tyre.
 
Ndonjëherë mund të ketë edhe pasoja shumë të rënda sa u përket raporteve me familjen dhe me miqtë. Në rastin më të keq, depresioni mund të sjelle edhe deri tek vetëvrasja. 
 
“Çdo i pesti person zhvillon simptoma të depresionit . Por 75% te personave me depresion të madh , nuk mjekohen. Ne Europë ka  40 milion persona me çregullime depresive , shifrat tregojnë se  128 mije persona të tillë  ne vit,  kryejnë  vetëvrasje . Depresioni I kthen njerëzit edhe në vrasës dhe  është shkaku I dytë kryesor I vdekjeve në mbarë botën në mesin e popullsisë  nga 15-29 vjeç, pas aksidenteve në trafik”, shprehet profesori në klinikën e psikiatrisë Antonio Novotni.
 
Depresioni mund të parandalohet dhe të trajtohet. Nga OBSH thone se  hapi drejt shërimit nga depresioni, është biseda me njerëz tek të cilët mund të kemi besim.  
 
Sa më shumë dimë se ç’është depresioni dhe se si mund ta parandalojmë dhe ta trajtojmë atë, aq më të mëdha janë mundësitë për zvogëlimin e stigmës si dhe mundësitë që gjithnjë e më shumë njerëz të kërkojnë ndihmë.
 
Fushata  dedikuar depresionit filloi më 10 tetor të vitit 2016 në Ditën Botërore të shëndetit mendor dhe vazhdon me mbështetjen në kuadër të Ditës Botërore të shëndetit – 7 Prillit.
 
REJHANE BUSHI - METAJ