Maqedoni

M.P.J.SH.: Reagon për tensionet në Gjorçe Petrov

22.05.2014 16:42

Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë ka reaguar pas ngjarjeve të fundit në Maqedoni...

Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë ka reaguar pas ngjarjeve të fundit në Maqedoni, ku pas vrasjes së një të riu maqedonas, janë sulmuar dhe djegur disa objekte të shqiptarëve.

Nëpërmjet një deklarate për mediat, Ministria e Jashtme Shqiptare thekson se me vëmendje dhe shqetësim të madh ka ndjekur ngjarjet e ditëve të fundit në Komunën Gjorçe Petrov të Shkupit.  

“Ministria e Punëve të Jashtme shpreh keqardhje dhe dënon vrasjen e të riut maqedonas, por ndërkohë shpreh shqetësim të thellë ndaj përpjekjeve për ta shndërruar këtë akt kriminal në një konflikt etnik dhe sulm me baza urrejtjeje ndaj bashkësisë shqiptare. Ngjarje të tilla, që provokojnë acarim të marrëdhënieve ndëretnike në dëm të bashkëjetesës mes dy popujve, duhet të marrin përgjigjen e merituar nga i gjithë faktori politik dhe institucional në vend”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme Shqiptare.  

Po ashtu kjo Ministri përshëndet reagimin e shpejtë të autoriteteve maqedonase dhe ndërkohë inkurajon hetimin e plotë të ngjarjes, si dhe vënien përpara drejtësisë të autorëve të vandalizmave dhe shkatërrimit të pronave të banorëve shqiptarë.

REJHAN BUSHI-METAJ