Maqedoni
Trajanovski apelon për uljen e tensioneve
22.05.2014 16:51
Kryetarët e komunave të Shkupit për nesër do të mbajnë një mbledhje të përbashkët...

Kryetarët e komunave të Shkupit për nesër do të mbajnë një mbledhje të përbashkët, ku mes tjerash, do të diskutojnë edhe për incidentin tragjik dhe demolimet e disa objekteve në Gjorçe Petrov, që pasuan pas incidentit me pasoja fatale për jetën e një të riu.
Kryetari i Shkupit, Koce Trajanovski, njëherit apelon deri të gjithë qytetarët e Maqedonisë, që ajo që ndodhi në Gjorçe Petrov të mos përsëritet asnjëherë.
“Trupi kordinativ është caktuar për nesër në orën 13. Përveç diskutimeve të çështjeve rrjedhëse, në seancën kordinative të kryetarëve do të diskutohet edhe për ndodhitë e fundit në lagjen Gjorçe Petrov. Unë shpreh ngushëllimet e mia ndaj familjes, që të hënën e humbi jetën djali i tyre dhe njëherit po apeloj që kjo gjë të mos përsëritet kurrë dhe ngjarjet e tilla të mos shkojnë në intensitet, sepse vlerësoj se një gjë e tillë mund të përkeqësojë gjendjen edhe më shumë”, deklaroi kryetari i Shkupit, Koce Trajanovski.
Me të njëjtën vijë me kryetarin e Shkupit, Koce Trajanovskin, dje u shpreh edhe kryetari i Komunës së Sarajit, Bekim Murati.
Edhe ai dënoi rastin tragjik dhe njëherit u bëri thirrje të gjithë banorëve të Gjorçe Petrovit, t’i ulin tensionet, të ndërpresin bllokadat e rrugëve dhe t’ia lënë punën institucioneve përkatëse që të zbardhin rastin në fjalë.
REXHEP QAMILI
