Botë

Rritet numri i të vdekurve nga sulmi kimik në Siri

06.04.2017 13:19

Ka arritur në 86 persona numri i të vdekurve nga sulmi kimik i kryer dje në Sirinë veriore, raporton grupi monitorues sirian....

Sipas këtij grupi me bazë në Britani, në mesin e të vrarëve në sulmin e së martës janë 30 fëmijë dhe 20 gra.
 
Ndërkohë, Turqia tha se rezultatet e autopsisë tregojnë se në një sulm në provincën Idlib të Sirisë janë përdorur armët kimike. Agjencia turke e lajmeve Anadolu citoi ministrin turk të Drejtësisë, Bekir Bozdag, të ketë thënë se rezultatet e autopsisë së tri viktimave "konfirmojnë se Assad ka përdorur armë kimike".
 
Bozdag tha se ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë kanë marrë pjesë në autopsitë e kryera në Turqi. OBSH nuk ka dalë ende me komente. Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore kanë akuzuar regjimin e Assadit për kryerjen e sulmit. Siria dhe aleatja e saj, Rusia, kanë fajësuar rebelët.