Turqia “turpëroi” Kosovën, Bunjaku për histori
Në ndeshjen e dytë zyrtare nën ombrellën e FIFA-së dhe UEFA-së, erdhi disfata e parë për reprezentacionin e Kosovës...
Në ndeshjen e dytë zyrtare nën ombrellën e FIFA-së dhe UEFA-së, erdhi disfata e parë për reprezentacionin e Kosovës, edhe ate me rezultat të thellë 6-1, nga miqtë e Turqisë, të cilët u pritën në mënyrë të ngrohtë në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë.
Megjithatë, edhe përkundër faktit që disfata është e thellë, kjo ndeshje do të mbahet mend për diçka tjetër, për golin e parë të Kosovës të shënuar në një ndeshje zyrtare, e që erdhi nga sulmuesi dhe emri më i famshëm në këtë grup të sapo formuar, Albert Bunjaku. Minuta e 35-të dhe goli I shënuar nga sulmuesi i Kajzersllauternit, pas gabimit fillestar të portierit mysafir Vollkan, do të shkruhet me germa të arta në historinë e futbollit kosovar, e do të kujtohet gjatë kohë nga të gjithë të pranishmit në stadiumin “Adem Jashari”, por edhe nga ata që këtë ndeshje e ndjekën përmes ekraneve televizive.
Në fund të sfidës, në Mitrovicë, të zgjënjyer ishin pothuajse të gjithë, ndoshta jo nga rezultati, sa që nga paraqitja e dobët, e ngathët dhe joserioziteti në lojë I shfaqur nga lojtarët e seleksionuesit Albert Bunjaku.
Zhgënjim i madh pas sfidës ishte prezent edhe te vet seleksionuesi, sipas të cilit, në ndeshjen e ardhshme që do të luhet kundër Senegalit të diellën, duhet të zëvendësohen disa lojtarë të cilët luajtën mbrëm.
Në anën e kundërt, seleksionuesi i turqve Fatih Terim, kishte “mëshirë” për miqtë kosovar, duke nisur ndeshjen me lojtarë të cilët vështirë se mund të mbrojnë ngjyrat e përfaqësueses në takime me peshë më të madhe.
“Imparatori” siç e quajnë në Turqi, ngjashëm si para ndeshjes, edhe pas sfidës, premtoi se do të bëj çmos që Kosova, në një periudh sa më të shpejtë, të pranohet me të drejtën e plotë nga UEFA dhe FIFA. Sipas tij, Kosova e meriton një gjë të tillë që tani. Të shpresojmë…