Maqedoni
Eurodeputetët: Të zhbllokohet kuvendi, të formohet qeveria
06.04.2017 17:17
Parlamenti Evropian me shqyrtimin e raportit për përparimin e Maqedonisë në vitin 2016, dërgoi porosi të qartë: Të zhbllokohen proceset për konstituimin e Kuvendit dhe për formimin e Qeverisë...

Sipas eurodeputetëve situata në Maqedoni është shumë serioze, ndërsa kriza politike gjithnjë e më e thellë, duke rrezikuar perspektivën evropiane të vendit. Përfaqësuesi I presidencës së Maltës Jan Borg theksoi shqetësimin se akoma nuk ka qeveri në Maqedoni.
Presim që prioritet të jenë reformat dhe kthimin e vendit në rrugën europiane tha Borg duke porositur qeverinë e re që të zbatojë në tërësi obligimet e Marrëveshjes së Ohrit. Neven Mimica eurokomesari për bashkëpunim ndërkombëtarë dhe zhvillim ftoi aktorët politik që të respektojnë rezultatet e zgjedhjeve, presidenti Ivanov të lejojë të formohet qeveri, ndërkaq partitë politike të ndalen duke hedhur zjarr në marrëdhëniet ndërtenike.
“Qeveria do të duhet të formohet tani. Të gjitha partitë duhet që të zbatojnë marrëveshjen politike dhe të zbatojnë reformat urgjente. Komisioni është I përkushtuar në perspektivën europiane të vendit, por të jem I qartë çelësi I perspektivës europiane është në duart e presidentit”, tha Neven Mimica, eurokomisar i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe zhvillimit.
Knut Flekenshtajn ka porositur që vendi nuk duhet mbajtur peng pasi nuk janë realizuar pritjet e një partie për të mbetur në pushtet. Edhe raportuesi për Maqedoninë Ivo Vajgëll tha se parlamenti nuk mund të formohet për shkak të obstruksioneve sistemore të VMRO-DPMNE-së dhe sjelljes së presidentit Gjorge Ivanov. Pozicioni Ivanov vetëm se zbulon partizimin e tij, tha Vajgëll duke dërguar porosi edhe deri tek shtetet fqinje.
“Është e rëndësishme që vendet fqinje të kuptojnë problematikën në këtë shtet multietnik. Ata nuk duhet të vështorësojnë situatën. Maqedonia do të duhet të përballet me sfida të mëdha në rrugën drejt BE-së”, tha Ivo Vajgëll, reportuesi për Maqedoninë.
Votimi i rezolutës, e përpunuar nga Ivo Vajgëll, e cila mori mbështetjen e eurodeputetëve, këshillit dhe komisionit të BE-së në debatin një orësh, është parashikuar që të votohet nga parlamenti eruopian në muajin maj.
MERALE ISMAILI
