Maqedoni

Anketë e NDI-së: Maqedonia po lëviz në drejtim të gabuar, përgjegjës për krizën VMRO dhe Ivanov

06.04.2017 18:33

Rezultatet e anketes së realizuar nga Instituti Kombetar Amerikan Demokratik (NDI) tregojn se 93% e qytetarëve të Maqedonisë...

Rezultatet e anketes së realizuar nga Instituti Kombetar Amerikan Demokratik (NDI) tregojn se 93% e qytetarëve të Maqedonisë situatën aktuale politike në vend e përjetojnë si të tensionuar, kritike dhe të paqëndrueshme, 65 për qind mendojnë se vendi po lëviz në drejtim të gabuar.
 
Sipas të anketuarve përgjegjës për krizën politike janë VMRO DPMNE-ja dhe presidenti Gjorge Ivanov. Për 13 për qind të të anketuarve problemi qëndron në Platfоrmën e partive shqiptare, ndërsa rreth 11 për qind e drejtojnë gishtin nga LSDM-ja.
 
“Maqedonasit dhe grupet e tjera etnike në një përqindje më të lartë besojnë se partitë shqiptare, Platforma dhe LSDM-ja janë përgjegjëse për situatën aktuale politike në Maqedoni, në krahasim me shqiptarët etnik, për të cilët përgjegjës janë Ivanovi dhe VMRO DPMNE-ja. 16% e shqiptarëve përgjegjësinë e shohin te BDI-ja dhe VMRO DPMNE-ja”, thonë nga Instituti Kombëtar Amerikan Demokratik (NDI).
 
Sipas rezultateve, kryetari Ivanov është më i besueshëm te bashkësia etnike e maqedonasve, kurse më pak i besueshëm te shqiptarët. Gjykatat dhe Prokuroria Publike janë institucionet më pak të besueshme në Maqedoni, ndërsa Prokuroria Speciale Publike është gëzon besim të madh te shqiptarët, dhe është institucioni i dytë më i besueshëm te maqedonasit. 
 
8 nga 10 qytetarët e Maqedonisë nuk e kanë lexuar Deklaratën politike shqiptare. “Derisa 46 për qind e maqedonasve të anketuar mendojnë se Platforma është ndërhyrje e huaj në punët e brendshme dhe e kërcënon sovranitetin e vendit, asnjë nga të anketuarit shqiptar nuk e ndan këtë mendim. Platforma është e pranueshëm pjesërisht për 14 për qind të maqedonasve dhe për 54 për qind të shqiptarëve. Për 44 për qind të maqedonasve ajo është krejtësisht e papranueshme”, thanë nga Instituti Kombëtar Amerikan Demokratik NDI.
 
Një në tre të anketuar beson se formimi i një qeverie të shumicës së deputetëve është mënyra më e mirë e daljes nga kriza, ndërsa sipas një të katërtës rrugëdalja është në zgjedhjet e reja parlamentare. pas zgjedhjeve mbështetja e VMRO DPMNE-së në mesin e maqedonasve është rritur me pesë për qind, ndërsa te shqiptarët është ulur për 34 për qind.
 
BDI ka humbur mbështetjen te 15 për qind e elektoratit shqiptar ndërsa LSDM-ja ka humbur besimin në 15 për qind të maqedonasve ndërsa ka marrë mbështetje të re 33 për qind të shqiptarëve. Anketa e NDI-së është realizuar me telefon nga 17  deri më 21 mars. 
 
SANIJE DURAKU