Botë
Sulmi Aemrikan në Siri, reagon Asad dhe Putin, e quajnë sulmin agresion
07.04.2017 12:28
SHBA-të nisën sulmet e papritura mbi bazat ajrore siriane, nga të cilat u krye sulmi kimizim në qytetin Idlib, ku humbën 72 persona, shumica gra dhe fëmijë...

Sulmet kanë nisur ndaj bazës ajrore në brendësi të Homsit, 59 raketa janë hedhur nga dy gjuajtës detarë, USS Ross dhe USS Porter, që janë vendosur në pjesën lindore të Mesdheut në bregun perëndimor të Sirisë. SHBA thotë se në këto sulme janë goditur stacione të aeroporteve, avionë, radarë dhe stacione të karburantit.
Presidenti amerikan Donald Trump i bëri thirrje të gjithë kombeve të civilizuara t’i bashkohen Amerikës, për t’i dhënë fund masakrave dhe gjakderdhjes në Siri e për të goditur gjithashtu terrorizmin e çfarëdo lloji.
“Të martën, Bashar al Assad ndërmori një sulm të tmerrshëm kimik kundër civilëve të pafajshëm, duke përdorur një agjent nervor vdekjeprurës. Assadi mbyti jetët e burrave, grave dhe fëmijëve të pambrojtur. Për shumë prej tyre ishte një vdekje e ngadaltë dhe brutale. Asnjë fëmijë i Zotit nuk duhet të vuajë një llahtar të tillë. Unë urdhërova një sulm ushtarak ndaj bazës ku u organizua kjo goditje. Ky ishte një veprim në mbrojtje të interesave jetike të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara për të parandaluar përhapjen dhe përdorimin e mëtejshëm të armëve kimike vdekjeprurëse. Nuk ka asnjë diskutim që Siria përdori armë të ndaluara të këtij lloji, duke shkelur kështu detyrimet e saj që burojnë prej Konventës së Armëve Kimike e duke injoruar Këshillin e Sigurimit të OKB-së”, tha Donald Trump, president i shba-ve.
Qeveria siriane ka reaguar ashpër, duke e cilësuar sulmin si një agresion. Ministri i Jashtëm sirian, Ëalid al-Moallem, e mohon përdorimin e armëve kimike
“E theksoj edhe një herë se ushtria jonë siriano-arabe nuk ka përdorur dhe nuk do të përdorë asnjëherë armë kimike ndaj popullit të thjeshtë, e nuk ka për t’i përdorur as mbi terroristët”, tha Valid Al-Moallem, ministër i jashtëm i Sirisë.
Me të njëjtat tone ka reaguar edhe Moska zyrtare. Presidenti Vladimir Putin I quajti sulmet e SHBA-së ndaj Sirisë si agresion ndaj një kombi Sovran. Putin beson se sulmet dhunojnë ligjet ndërkombëtare dhe po kryhen me një pretekst i shpikur dhe këmbëngul se ushtria siriane nuk ka armë kimike.
Rusia bën thirrje për një tjetër takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Pentagoni sqaroi se ushtria ruse, e cila mbështet qeverinë siriane, ishte njoftuar që më parë për sulmin me raketa, Ky është sulmi i parë direkt i Amerikës ndaj qeverisë siriane në luftën gjashtëvjeçare civile dhe është urdhri i parë më i rëndësishëm ushtarak i Donald Trumpit, që prej se është zgjedhur President. Për momentin, nuk dihet ende nëse ky ishte vetëm një akt hakmarrjeje apo një hap që shënon fillimin e një fushate më të gjatë kundër Asadit.
GAZMEND REXHEPI
