Botë

Vendimi i Trump për sulm në Siri, mbështetje nga shumica e vendeve të botës

07.04.2017 13:28

Kryeministri japonez, Shinzo Abe e shprehu hapur mbështetjen e tij për sulmin ushtarak amerikan në Siri....

Japonia, u shpreh ai, e vlerëson lart angazhimin e Presidentit Donald Trump ndaj paqes në botë. 
 
“Qeveria japoneze e mbështet plotësisht vendosmërinë e administratës amerikane për t’iu kundërvënë me forcë përhapjes dhe përdorimit të armëve kimike. Ne e kuptojmë fare mirë se goditja amerikane synon të parandalojë përkeqësimin e mëtejshëm të situates”, tha Shinzo Abe, kryeiministër i Japonisë.
 
Në të njëjtën linjë ishte dhe kryeministri australian, Malcolm Turnbull.
 
“Kjo ishte një përgjigje e mirëkalibruar dhe me një shënjestër të qartë. Regjimit të Asadit iu dërgua një mesazh i fortë. Përdorimi i armëve kimike, në çfarëdolloj rrethane, është i paligjshëm dhe i neveritshëm”, tha Malcolm Turnbull, kryeministër i Australisë.
 
 
Mbështetje për lëvizjen e amerikanëve dha edhe Izraeli,  Franca, Britania,  Italia  Arabia Saudite dhe padyshim  Turqia. Mbështetjes I janë bahskangjotur edhe Tirana dhe Prishtina zyrtare.
 
Ministrat e Jashtëm, Ditmir Bushati dhe Enver Hoxhaj, përshëndetën vendimin e Trump duke e quajtur një sulm të pashmangshëm dhe përgjegjësi e komunitetit ndërkombëtar në mbrojtje të civilëve ndaj akteve barbare të regjimit të Asadit. Sulmi ka pasur edhe reagime të tjera, ai shkaktoi  rënien e bursave, rritjen e kuotimit të naftës dhe ngritjen e çmimit të arit në një nivel rekord për këtë vit.
 
GAZMEND REXHEPI