Maqedoni

Meta: Shqipëria e interesuar për Maqedoni stabile

07.04.2017 16:30

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, I është përgjigjur akuzave të VMRO-DPMNE-së për përzierje të Tiranës në punët e brendshme të Maqedonisë.

Në intervistë për televizionin Ora News, Meta theksoi se “Në interes të Shqipërisë është që  Maqedonia të jetë stabile dhe se të drejtat e shqiptarëve nuk mund të zgjidhen me destabilizimin e vendit.” 
Meta deklaron se Maqedonia është vend në Ballkan ku përballen shumë interesa të huaja.
 
“Ai është vend, ku përveç se me Shqipërinë, ka probleme specifike edhe me disa vende tjera fqinje, ndërsa përbërjen demografike dhe gjegjësisht etnike e bën shtetin shumë delikat në kuptimin e vendit funksional të qëndrueshëm. Lufta e vërtetë në Maqedoni nuk është kriza e marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe maqedonasve, por kriza mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, gjegjësisht kriza mes opozitës dhe qeverisë”, tha kreu i parlamentit shqiptar. 
 
Në lidhje me rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, Meta tha se janë shfrytëzuar që të krijohet situatë e rrejshme që është paraqitur si problem mes shqiptarëve dhe maqedonasve. 
 
SANIJE DURAKU