Maqedoni

Zgjedhjet Lokale, Elezi: Të zgjatet mandati për mbajtjen e tyre, Hani: Nga zvarritja, pësojnë qytetarët

07.04.2017 17:26

Në prag të skadimit të mandatit të pushtetit vendorë ministrja Shyrete Elezi e cila drejton digasterin që rregullon kompetecat e tyre...

Në prag të skadimit të mandatit të pushtetit vendorë ministrja Shyrete Elezi e cila drejton digasterin që rregullon kompetecat e tyre, paralajmëron se do t’i kërkojë qeverisë zgjatjen e mandatit të tyre duke u bazuar në normat ligjore që rregullojnë punën e qeverisë në kushte të jashtëzakonshme.
 
Sipas saj vendi ndodhet në rrethana të jashtzakonshme prandaj doemos duhet vënë në funkcion mundësitë e tilla ligjore me qëllim që të mos ndërpritet kontinuiteti në punën e komunave.
 
“Konform ligjit për qeveri ka disa nene në të cilat potencohen punët e qeverisë në kushte të jashtzakonshme dhe ne do të lidhemi kryekëput perms këtyre neneve  dhe do të kërkojmë të merret qëndrimi i përbashkët i cili do të mundësonte zgjatjen e kryetarëve aktual dhe do ta njoftojmë edhe kuvendin.  A do të shpallen zgjedhjet tani a do të shpallen më vonë patjetër të ketë kontinuitet të aktorëve ekzekutiv që për momentin është kryetari i komunës”, tha Shyrete Elezi, ministre e pushtetit lokal.
 
Por analisti Albert Hani konsideron se çdo zvarritje në këtë drejtim faturën do ta paguajnë qytetarët për shkak se do të ballafaqohen me mungesë shërbimesh.
 
“Duke pasur parasyshë se pushteti lokal ka të bëjë me jetën e përditshme të çdo qytetari në nivel lokali, jeta e çdo qytetari do të ketë pasoja, piksëpari nga drejtimi i infrastructures por edhe nga shërbimet të cilat i jep pushteti lokal. Për këtë shkak besoj se zgjedhjet lokale duhet të zbatohen me afat sa më të shkurtër”, tha Albert Hani, analist.
 
“Zgjedhjet për anëtarë të këshillit dhe për kryetar të komunës mbahen çdo katër vite njëkohësisht në të gjitha komunat, në gjysmën e parë të muajit maj”, qëndron në nenin 16, pika 1 në Kodin Zgjedhor.
 
“Aktin për shpalljen e zgjedhjeve e merr kryetari i Kuvendit dhe me të caktohet dita kur fillojnë të rrjedhin afatet për zbatimin e veprimeve zgjedhore dhe dita e mbajtjes së zgjedhjeve”, qëndron  në nenin 12 pika 1 në Kodin Zgjedhor. Në mënyrë shtesë theksohet se nga dita e shpalljes deri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve nuk mund të kalojnë më shumë se 90 ditë, as më pak se 70 ditë.
 
NAIM RAMADANI