Maqedoni

Rasmusen: Të zgjidhet emri më pas NATO

22.05.2014 17:28

Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO, është përcaktim i fuqishëm i të dyja palëve...

Anëtarësimi i Maqedonisë në NATO, është përcaktim i fuqishëm i të dyja palëve.
 
Kjo është konkluza e nxjerrë nga takimi i sotëm i kryeministrit  Nikolla Gruevski dhe sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Anders Fog Rasmusen, në Qeveri.
 
Për vendin mbetet prioritet NATO dhe ne do të vazhdojmë përmes misioneve të kontribuojmë në ruajtjen e paqes në botë. 
 
“U pajtuam që anëtarësimi i Maqedonisë në NATO edhe më tej paraqet interes të përbashkët dhe përcaktim të fuqishëm si për Maqedoninë ashtu edhe NATO-n. Shkëmbyem mendime mbi zhvillimet në rajon dhe më gjerë, veçanërisht në sferën e mbrojtjes, si dhe për kapërcimin e dallimeve në qëndrimet për emrin me Greqinë. Për Maqedoninë interes primar është që e njëjta situatë të tejkalohet, sepse ajo është e vetmja pengesë për integrimin euro-atlantik të Maqedonisë”, deklaroi kryeministri Nikolla Gruevski.
 
E vlerësojmë lart kontributin që e jep vendi juaj për mbështetjen e KFOR-it dhe për misionin ISAF, deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen.
 
Sipas tij, kontesti për emrin me Greqinë mbetet pengesë kryesore për anëtarësimin e vendit në NATO. 
 
“Integrimi në NATO është  zgjedhje e lirë, por në vazhdimësi kërkon reforma, vendime të vështira dhe udhëheqje të guximshme. Dyert e NATO-s janë të hapura, siç u pajtuam në Samitin e NATO-s në Bukuresht në vitin 2008, ju do të merrni ftesë për të filluar bisedime paraqasëse me NATO-n, pasi që të gjendet një zgjidhje e përbashkët për kontestin me emrin”, theksoi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen.
 
Sipas sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Rasmusen, NATO është përkushtuar për të ardhmen e vendeve të Ballkanit si pjesë e pandashme e familjes euro-atlantike. 
 
SANIJE KASAMI