Botë
SHBA, nis Luftanijet drejt gadishullit Korean
09.04.2017 13:06
Ushtria amerikane ka urdhëruar Marinën e sajë ushtarake të drejtojë një grup goditës nga gadishulli Korean...

Një urdhër i tillë bazohet në shqetësimet mbi programin raketor të Koresë së Veriut.
Komanda amerikane e Paqësorit e përshkroi këtë dislokim, si një masë të kujdesshme për të ruajtur gatishmërinë në rajon. Zëdhënësi i Komandës amerikane të Paqësorit, Dave Benham tha se “Kërcënimi numër një në rajon vijon të mbetet Koreja e Veriut, për shkak të programit të pamatur, të papërgjegjshëm dhe destabilizues të testimit raketor dhe kapaciteteve të armëve bërthamore”.
Presidenti Trump ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura të veprojnë edhe të vetme përballë kërcënimit bërthamor nga Koreja e Veriut. Në grupin goditës të dislokuar së fundi ndodhet aeroplanmbajtësja “USS Carl Vinson”, dy shkatërrues përmes raketave të precizionit të lartë, si dhe anija “cruiser” sërish me raketa, por më e madhe sesa shkatërruesit. Përveç forcës goditëse, grupi ka edhe aftësitë e nevojshme për të ndërprerë në kohë raketat balistike.
Grupi i anijeve pritej të shkonte drejt Australisë, por papritur ka devijuar kursin nga Singapori për të vijuar drejt Paqësorit perëndimor, aty ku kohët e fundit kishte zhvilluar edhe stërvitje ushtarake me Marinën e Koresë së Jugut.
Koreja e Veriut ka zhvilluar disa testime bërthamore dhe ekspertët parashikojnë se priten edhe të tjera, pasi vendi po shkon shumë pranë zhvillimit të kokave bërthamore, me rreze veprimi të mjaftueshme për të mbërritur në Shtetet e Bashkuara.
Të mërkurën, vendi komunist lëshoi një raketë balistike me rreze të mesme veprimi nga porti lindor i saj, Sinpo, drejt ujërave të detit të Japonisë. Testimi u dënua nga Japonia dhe Koreja e Jugut, por edhe nga SHBA-të të cilat janë të vendosura ta kundërshtojnë programin bërthamorë të Koresë komuniste.
SEMRA AJETI
