Maqedoni
Parlamenti Europian me shtyerjen e votimit të rezolutës për përparimin e Maqedonisë per ne muajin maj
09.04.2017 15:36
Parlamenti Europian me shtyerjen e votimit të rezolutës për përparimin e Maqedonisë per ne muajin maj...

Parlamenti Europian me shtyerjen e votimit të rezolutës për përparimin e Maqedonisë per ne muajin maj, dërgon sinjal të qartë se pa formim të qeverisë nuk mund të ketë zhvillime pozitive të vendit në rrugën europiane.
Prolongimi i tillë sipas analistit Arsim Sinani mund të shoqërohet edhe me sanksione financiare.
“Bashkimi Europian në këtë drejtim dëshiron të dërgojë sinjal se pa një qeveri të re në Shkup nuk do të ketë zhvillime pozitive në Maqedoni. E dyta në maj nëse nuk miratohet, unë mendoj se mund të ndodhin sanksione, nënkuptohet projektet të cilat i financon BE mund të ndërpriten, apo përkohësisht të ndërpriten përderisa të zgjidhet ngërçi në Maqedoni. Megjithatë mendoj se nuk do të ketë rezolutë pozitive nëse mbetet kjo situatë”, shprehet analisti politik Arsim Sinani.
Sipas Sinanit për Maqedoninë kjo është një ngecje, e cila dobëson pozicionin në arenën ndërkombëtare dhe në raportet me BE-në. Ai nuk përjashton mundësinë edhe të rrezikimit të ftesës për anëtarësim.
“Dikush do të duhet të mbajë përgjegjësi dhe dihet se kush janë fajtorët të cilët I kanë penguar këto procese. Kjo do të ishte një kthim pas për Maqedoninë megjithatë nuk besojs e perëndimi në rastin konkret BE-ja është e interesuar ta lejojë Maqedoninë që të drejktohet drejt interesave geostrategjike të Rusisë”, shprehet analisti politik Arsim Sinani.
Ditë më parë Parlamenti Evropian me shqyrtimin e raportit për përparimin e Maqedonisë në vitin 2016, konkludoi se situata në Maqedoni është shumë serioze, ndërsa kriza politike gjithnjë e më e thellë, duke rrezikuar perspektivën evropiane të vendit.
Eurodeputetët dërguan porosinë: të zhbllokohen proceset për konstituimin e Kuvendit dhe të formohet Qeveri.
MERAL ISMAILI
