Maqedoni
Supremja ankohet për PSP-në, Vangelovski: Nuk na përgjigjen për kërkesat, PSP: Nuk duam të ndikojmë në epilogun e procedurës
10.04.2017 17:32
Kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Maqedonisë, Jovo Vangelovski, akuzon Prokurorinë Speciale...

Kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Maqedonisë, Jovo Vangelovski, akuzon Prokurorinë Speciale, se refuzon të veprojë për kërkesën e tyre, duke ndikuar kështu në prolongimin e procedurave urgjente që Supremia udhëheq.
“Më 06 prill është dorëzuar kërkesa për informacion deri tek prokuroria speciale por megjithëse janë realizuar edhe biseda telefonike mes shefave të kabineteve të kreut të Supremes dhe Kryeprokurores së PSP-së, akoma nuk ka përgjigje për kërkesën e dorëzuar”, thuhet në kumtesë.
Por nga PSP thonë se informata e kërkuar ka qenë për largimin e gjykatësit Jovo Vangelovski për lëndën “Trust”.
“Sipas ligjit për procedurë penale, në procedurën për largimin e gjykatësit, veprim obligues është marrja e deklaratës nga gjykatësi. Duke pasur parasysh se informata e kërkuar mund të merret nga vetë gjykatësi për të cilin është kërkuar largimi, kjo Prokurori Publike nuk do të sigurojë përgjigje, për të mos të ndikuar në epilogun e procedurës”, thonë nga PSP.
Kërkesa e Speciales për largimin e kryetarit të Gjykatës më të Lartë, Jovo Vangelovski për të vendosur lidhur me paraburgimin e biznesmenit Sead Koçan, duhet të shqyrtohet të martën në një seancë të përgjithshme.
PSP dyshon se kryetari i ri i Supremes do të jetë i anshëm pasi Vangelovski është pjesë e të ashtuquajturave “bomba” të opozitës. Koçan ndërkohë tashmë një muaj është në arrati dhe po kërkohet me fletarrest ndërkombëtar.
REJHANE BUSHI METAJ
