Maqedoni

Kuvend, vazhdojnë akuzat për “Platformën e Tiranës”

10.04.2017 18:12

Deputet e VMRO DPMNE-së thonë se kanë frikë nga kërkesat e shqiptarëve dhe e ashtuquajtura “Platformë e Tiranës”...

Deputet e VMRO DPMNE-së thonë se kanë frikë nga kërkesat e shqiptarëve dhe e ashtuquajtura “Platformë e Tiranës”, prandaj kërkojnë debat për marrëveshjen politike mes partnerëve të shumicës së re parlamentare.
 
Mirëpo, LSDM-së vlerëson se nuk është kjo arsyeja për frikën e VMRO DPMNE-së. Sipas deputetëve të LSDM-së, arsyeja e vërtetë për frikën e VMRO-së është PPS dhe përballja me drejtësinë.
 
Deputeti Petar Shilegov tha se Parlamenti mund të zhbllokohej në çast nëse pranohej miratimi i një ligji me të cilin do të amnistohej kreu i VMRO DPMNE-së.
 
"Juve zotërinj të VMRO DPMNE-së, kushtetuta nuk ju vlen asgjë, Rregullorja nuk ju vlen asgjë. Më shumë ju vlen kjo fletë e bardhë, pasi po të shkruaj me dorë në këtë fletë të bardhë Ligj për amnesti për vepra penale për Nikolla Gruevskin, çdo gjë, që bëni këto 10 ditë do të zhduket. Edhe njerëzit nëpër rrugë, edhe krizat, edhe platformat, edhe deklaratat. Të gjitha do të zhduken, vetëm nëse pajtohemi që ta falim Nikolla Gruevskin”, tha Petar Shilegov, nga LSDM.
 
Mirëpo deputetët e VMRO DPMNE-së, me ndihmën e kryesuesit të seancës Trajko Veljanovski, vazhdojnë të stërzgjasin seancën konstituive dhe, në vend të pikës tre në rrend dite, këmbëngulin që të debatohet rreth të ashtuquajturës Platformë e Tiranës, ndërsa si alternativë për dalje nga kriza propozojnë zgjedhje të parakohëshme parlamentare, sëbashku me ato lokalet.   
 
“Do të duhet të sqarohet nëse maqedonasit apo shqiptarët janë mashtruar nga LSDM. Kjo është dhimbja e jonë. Që të mos ketë destabilizim të shtetit, që të mos ketë probleme afatgajte ka zgjidhje. Zgjidhja është që të publikohet çdo gjë që është dakorduar, në formë demokratike dhe transparante. Nuk ka nevojë të shtyhet, kjo është mënyra më e shpejtë që të sqarohen çështjet. Mënyra e dytë, e shpjetë, për të pastruar çështjet është që të shpallen zgjedhjet”, tha Ilija Dimovski, nga VMRO DPMNE.
 
Keqpërdorni Deklaratën e përbashkët për të manipuluar opinionin, akuzoi deputetët e VMRO-së, Vesel Memdi nga Aleanca për shqiptarët.  
 
“Duke iu referuar një stimuli që të krijoni reaksion te stimuli tjetër, tanë kohë, i referoheni edhe Platformës shqiptare me qëllim që të krijoni një reaksion te popullata maqedonase se, kinse, do të ndodh diçka e dhunshme në vend”, tha Vesel Memedi, aleanca për shqiptarët.
 
Deputeti i pavarur, Ferid Muhiq, thotë se Kuvendi është filtri ku kalojnë ose jo marrëveshjet politike, përfshi edhe këtë të fundit mes partnerëve të shumicës parlamentare. Por për të ndodh kjo, fillimisht duhet të përmbyllet séance konstituive. 
 
“Nuk ekziston asnjë argument juridik valid për hedhjen poshtë të Deklaratës dhe as për zgjedhje të reja. Ligjërisht, mund të propozohet çdo gjë, partnerët e koalicionit mund të dakordojnë çdo gjë, por çdo propozim dhe çdo marrëveshje, në fund, duhet të kalojë në procedurë parlamentare dhe të merr dritë të kuqe ose të gjelbërt nga instancat jurike të shtetit”, tha Ferid Muhiq, deputet i pavarur.
 
Kryesuesi me seancën, Trajko Veljanovski, edhe sot rrefuzoi ta vë në votim propozimin e shumicës parlamentare, që konformë Nenit 78 të Rregullores, ta ndërpresë debatin për pikën e tretë, që ka të bëjë me zgjedhjen e Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve dhe të kalojë në pikën katër, përkatësisht në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe zëvendësve të tij.       
 
SHPËTIM NUREDINI