Botë

Samiti i G7 në Itali, diskutohen terrorizmi, Siria dhe siguria globale

10.04.2017 20:57

Nën masa të larta sigurie, Ministrat e Jashtëm të vendeve të grupit G7 janë mbledhur sot në qytetin e Lucca-s...

Nën masa të larta sigurie, Ministrat e Jashtëm të vendeve të grupit G7 janë mbledhur sot në qytetin e Lucca-s në Toskana të Italisë ku nën drejtimin e Presidencës italiane e të Ministrit të Jashtëm Angelino Alfano do të zhvillojnë për dy ditë rresht Samitin e rradhës mes 7 vendeve më të industrializuara në botë.
 
Të shumta janë temat që do të merren në diskutim, ku një rëndësi të veçantë do t’i kushtohet luftës kundër terrorizmit e ekstremizmit të dhunshëm, sigurisë e politikës globale.
 
Marrin pjesë në këtë Samit, Sekretari amerikan i shtetit Rex Tillerson si dhe Komisioneria për Politikën e Jashtme e Sigurinë në Bashkimin Europian, Federica Mogherini.
 
Nuk merr pjesë Rusia pasi për shkak të çështjes ukrainase është përjashtuar për 3 vite radhazi nga pjesëmarrja në G7.
 
Samiti i G7, që zhvillohet në një moment të veçantë të situatës ndërkombëtare, e troditur nga sulmi terrorist në Suedi apo nga zhvillimet e fundit në Siri, në Korenë e Veriut, është një takim i rëndësishëm i vendeve më të mëdha në botë që në praninë e Rex Tillerson të diskutojnë e të analizojnë strategjinë e ndërmarrë nga administria e re e qeverisë amerikane në lidhje me ngjarjet e fundit të politikës botërore.
 
Nga ana tjetër Washingtoni pret nga ky samit një impenjim të përbashkët për të luftuar e mposhtur Shtetin Islamik, ISIS.
 
“Samiti i G7 në Lucca është një rast më shumë për një vlerësim të përbashkët të situatës në Siri e të vullnetit tonë të përbashkët”, ka deklaruar Ministri i Jashtëm italian Angelino Alfano.
 
Numri një i diplomacisë italiane ka informuar gjithashtu se në ditën e dytë të zhvillmit të këtij Samiti do t’i kushtohet vëmëndje të veçantë çështjes siriane e do të zhvillohet dhe një mbledhje e jashtëzakonshme, ku janë ftuar të marrin pjesë dhe Ministrat e Jashtëm të vendeve të Turqisë, Emiratet  Arabe, Arabia Saudita, Jordania, Katari./Oranews