Botë

Francë, shkrumbohet kampi i refugjatëve, 10 lëndohen

11.04.2017 12:08

Një kamp që strehonte 1.500 emigrantë në veri të Francës është shkatërruar i tëri si pasojë e një zjarri...

Një kamp që strehonte 1.500 emigrantë në veri të Francës është shkatërruar i tëri si pasojë e një zjarri, që sipas zyrtarëve dhe dëshmitarëve okular ra gjatë një përleshjeje mes afganëve dhe kurdëve. Të paktën 10 persona kanë mbetur të lënduar.
 
"Aty kishte një përleshje në mes të refugjatëve kurd dhe atyre afgan. Nuk e dimë sakt se çka e shkaktoi këtë përleshje por sic e shihni edhe vetë kjo ndodhi sot. Ne jemi refugjatë këtu në Francë. Ne nuk kemi vend tjetër. Kam humbur të gjithë dokumentacionin. Kam vetëm këtë letër që tregon se jam refugjatë këtu në Francë. Ne nuk dimë cka të bëjmë. Kemi humbur gjithcka,duam vetëm të kemi siguri”, tha Albidani, refugjat nga Iraku.
 
Mbërritja e më shumë afganëve rriti tensionet me kurdët që jetojnë në kamp. Emigrantët janë evakuuar dhe do të dërgohen në një qendër akomodimi të improvizuar, me dy palestra që janë vënë në dispozicion për ta.Vetëm muajin e kaluar zyrtarët deklaruan se kampi Grande-Synthe, në afërsi të portit Dunkirk do të çmontohej për shkak të trazirave.
 
“Nuk ka mbetur gjë tjetër përveç hirit”, ka deklaruar Michel Lalande, prefekt i rajonit verior të Francës. Ai është shprehur se, do të jetë e pamundur që çadrat të ngrihen sërish aty ku ndodheshin më parë.
 
Numri i banorëve të kampit Grande-Synthe është rritur që nga tetori i kaluar, kur autoritetet çmontuan kampin e njohur si “Xhungla”, në afërsi të lokalitetit Calais, rreth 40 kilometra larg.