Dekorata e “Legjionit të Nderit”, akademiku Starova sot dekorohet zyrtarisht
Akademiku Luan Starova sot edhe zyrtarisht do ta marrë Dekoratën e Legjionit të Nderit...

Akademiku Luan Starova sot edhe zyrtarisht do ta marrë Dekoratën e Legjionit të Nderit, në një ceremoni solemne në Rezidencën e ambasadës franceze në Shkup. Dekoratën do t’ia dorëzojë ambasadori Kristian Timonie.
Presidenti i Republikës së Francës e dekoron akademikun dhe shkrimtarin Luan Starova me dekoratën e lartë nga radha e Oficerit të Legjionit të nderit. Ai është bartës edhe i dekoratës së lartë franceze Komandant i arteve dhe letërsisë nga viti 2000.
Këto dekorata të Starovës i ndahen për kontributin e tij të madh në zhvillimin e marrëdhënieve midis Maqedonisë dhe Francës në periudhën kur ishte ambasador i parë i Republikës së Maqedonisë në Francë.
Starova shkaktoi vëmendje të veçantë në kulturën dhe letërsinë publike me fillimin e publikimit të “Sagës Ballkanike” të cilën kritika letrare franceze e radhit në rendin e romaneve të mëdha evropiane, dhe sot është e publikuar në rreth njëzet gjuhë të botës.
Akademiku Starova ka merita të veçanta në karrierën e tij shumëvjeçare universitare si profesor i letërsisë franceze dhe komparative dhe ka rëndësi të veçantë edhe në zbulimin e aspekteve të reja në marrëdhëniet midis shkrimtarit të madh francez Gijom Apoliner dhe poligrafit shqiptar Faik Konica.
Starova është anëtar i Akademisë Evropiane, anëtar i rregullt i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Maqedonisë, anëtar i Akademisë Mesdhetare nga Napoli, anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë , si dhe anëtar i shoqatës shkencore “Lajbnic” nga Berlini.
