Botë

Turqi, shpërthim i fuqishëm në Dijarbakir

11.04.2017 13:37

Një shpërthim i fuqishëm ka goditur Dijarbakirin, i njohur si kryeqyteti kurd në jug-lindje të Turqisë...

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur mjete të shumta policie dhe ambulance, raportojnë mediat locale, por shkaqet e shpërthimit nuk janë ende të qarta.

Në vendngjarje është ngritur një re e madhe tymi. Nga hetimet paraprake është konstatuar se shpërthimi është verifikuar në një stacion policor, ku punojnë njësitë anti-protestë, në lagjen Baglar.Shpërthimi i ka shkaktuar dëme të shumta godinës dhe mjeteve të policisë përreth.

Gjithashtu, për momentin llogariten 4 të plagosur, njëri prej të cilëve është në gjendje të rëndë, bën të ditur televizioni privat NTV.

Shpërthimi i paraprin me 5 ditë referendumit që do të mbahet në Turqi, ku qytetarët do të shprehen nëse aprovojnë përforcimin e pushtetit të presidentit Erdogan, i cili synon ndryshimin e republikës nga parlamentare në presidenciale.

Dijarbakir është qyteti më i madh në jug-lindje të Turqisë, ku partia kurde PKK lufton kundër shtetit prej më shumë se 3 dekadash për autonomi.

Dhuna ka arritur pikun që nga rënia e armëpushimit në korrik 2015.