Maqedoni

Mbi 100 ditë seancë konstituive, Rashidi: Kemi patur oferta të majme nga VMRO

11.04.2017 17:29

VMRO DPMNE përpiqet të ndjell Aleancën për Shqiptarët për të formuar shumicë të re parlamentare...

Deputeti i këtij subjekti, Surija Rashidi, tha se ka patur oferta të majme, por ato nuk kanë qenë karrem për arritjen e një marrëveshje joparimore në dëm të PPS-së.
 
“Kanë ardhë përmes misionarëve edhe oferta të majme vetëm e vetëm që të jetë pjesë e një shumice të imagjinuar nga ju mirëpo dua të them troç,  as Ziadin Sela por as kushdo nga liderët e partive politike shqiptare nuk ka mandat për marrëveshje joparimore. Askush nuk ka mandat që rrezikon PPS-në. Për çështje të tjera opinion me kohë do të dëgjojë dhe do të shoh të vërtetë”, tha Surija Rashidi, Aleanca për shqiptarët.
 
VMRO: LSDM po kontrabandon platformën
 
Ndërkohë, deputetët e koalicionit të kryesuar nga VMRO DPMNE, vazhduan akuzat ndaj koalicionit të kryesuar nga LSDM se me pranimin e të ashtuquajturës Platformë të Tiranës, po shesin interesat kombëtare.  
 
“Në mënyrë kontrabanduese dëshironi të kaloni ndonjë platformë me të cilën nuk pajtohet ana fituese. Shumica e qytetarëve të Maqedonisë na dhanë të drejtën dhe këtu është pala që duhet të pyetet se duhet të jetë rregullimi shtetëror më tej në RM. VMRO nuk është kundër asnjë bashkësie etnike, prandaj ju lus që ta shqyrtoni edhe një herë vendimin tuaj se nuk duhet ta shisni RM-në, por të bëhemi bashkë që ta bëjmë edhe më të mirë, në interes të të gjithë qytetarëve të Maqedonisë”, tha Trajço Dimkov, nga VMRO DPMNE.
 
LSDM: Jemi dakorduar t’ju çojmë në opozitë
 
LSDM hodhi poshtë pretendimet e VMRO-së. “Jemi dakorduar që të çojmë VMRO-në në opozitë dhe të rikthejmë sundimin e ligjit.”-tha deputeti Tuntev. 
 
“Unë do t’ju tregoj se cfarë është dakorduar. Jemi dakorduar që VMRO DPMNE të shkojë në opozitë. Jemi dakorduar që pushtetin ta bëj shumica parlamentare. Është dakorduar që në këtë shtet të fillohet të jetohet normalisht, të fillojmë të merremi me problemet reale të qytetarëve të Maqedonisë.  Jemi dakorduar që të sundojë ligji dhe shteti ligjor. Dhe, jemi dakorduar, të gjithë që kanë bërë krim të përgjigjen para drejtësisë”, tha Tomisllav Tuntev, nga LSDM.
 
Edhe deputetja shqiptare nga rradhët e LSDM-së, Gjylismere Kasapi kërkoi nga kryesuesi që të krijojë kushte për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, ndërsa nga deputetët e VMRO-së që të pranojnë se janë opozitë. 
 
“Të nderuar zonja dhe zotërinj të VMRO DPMNE-së, kuptoni përfundimisht se duhet të kaloni në opozitë. Ju lutem, nuk keni tjetër alterantivë. Po të kishit pasur alternativën më të vogël, ju sigurisht do ta kishit shfrytëzuar dhe sot do ta vazhdonit pushtetin. Ju lutem z. kryesues i Kuvendit, krijoni kushte dhe mundësi të zgjedhim kryetarin e Kuvendit të RM-së, të formojmë qeverinë reformatore e cila do të jetë e udhëhequr nga LSDM, nga BDI, nga Aleanca për shqiptarët dhe ndoshta edhe Lëvizja Besa”, tha Gylimsere Kasapi, nga LSDM.
 
Nga dhjetori në prill, mbi 100 ditë kalendarike, séanca konstituive mbetet e hapur. Edhe në vazhdimin e 12 të saj nuk u shqyrtua zgjedhja e Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve, por përmes proceduraleve, replikave dhe kundërreplikave shumica e re parlamentare kërkon respektimin e Rregullores së kuvendit dhe vënien në votim të propozimit për të kaluar në zgjedhjen e kryeparlamentarit, ndërsa koalicioni i kryesuar nga VMRO DPMNE këmbëngul në zbardhjen e marrëveshjes politike mes partnerëve të koalicionit të shumicës.   
 
SHPËTIM NUREDINI