“FaustI”: Inva Mula shkëlqen në rolin e margaritës
Në edicionin e 42 të mbrëmjeve operistike të majit, mbrëmë në Teatrin e Operës dhe Baletit në Shkup, me mjaft sukses u prezantua opera ”Fausti” nga Sharl Guno……...

Në edicionin e 42 të mbrëmjeve operistike të majit, mbrëmë në Teatrin e Operës dhe Baletit në Shkup, me mjaft sukses u prezantua opera ”Fausti” nga Sharl Guno.
Padyshim ylli i mbrëmjes ishte sopranoja shqiptare me famë tashmë botërore, Inva Mula, në rolin e Margaritës. Bashkë me të në skenë u ngjitën Ivan Momirov nga Bullgaria në rolin kryesor, Ivan Tomashev nga Serbia në rolin e Mefistos, Françesko Verni nga Italia ne rolin e Valentinit dhe solistët nga Maqedonia Dragan Amprov në rolin e Vagnerit, Darko Neshovski në rolin e Zibelit dhe Marika Popoviq në rolin e Martës.
Ansamblin e artistëve e drejtoi regjisori italian, Mario de Karlo, nën dirigjimin e Oliver Ballaburskit.
Dhe padyshim që në një spektakël mirë të organizuar, ata që mbetën të mahnitur ishin spektatorët.
Në mesin e spektatorëve të shumtë ishin edhe figura të njohura publike dhe artistike shqiptare. Për të parë në skenë artisten e madhe shqiptare në një rast kaq të rrallë për Maqedoninë dhe vendet përreth, mbrëmë në skenën e TOB ranë në sy edhe personalitete të artit dhe politikës jo vetëm nga Maqedonia, por edhe nga Kosova.
Gjithsesi pjesëmarrja e publikut shqiptar në evente të tilla të artit, lë për të dëshiruar, por shfaqja e mbrëmshme tregoi se arti nuk njeh etnitet, por i bashkon të gjithë.
Të hollat e grumbulluara nga kjo shfaqe janë dedikuar për zonat e përmbytura në Bosnjë dhe Serbi. Me këtë gjest TOB i bashkëngjitet vendimit të Qeverisë që edhe institucionet kulturore t’i dalin në ndihmë zonave të përmbytura në vendet e Ballkanit. (Merita Gashi, TVM2)
