Botë
Putin, hetim ndërkombëtarë për armatimin kimik
11.04.2017 19:10
Presidenti rus, Vladimir Putin thotë se Moska zyrtarisht do të kërkojë një hetim ndërkombëtar...

Presidenti rus, Vladimir Putin thotë se Moska zyrtarisht do të kërkojë një hetim ndërkombëtar, për atë që qeveritë perëndimore, thonë se është sulm kimik i kryer nga qeveria siriane mbi civilët.
Putin, i cili sot ka folur për herë të parë publikisht për Sirinë, që prej se Shtetet e Bashkuara sulmuan me raketa një bazë ajrore siriane, u tha gazetarëve se Rusia do të apelojë në agjencinë e OKB-së në Hagë që të kryejë hetimin. “Ne besojmë se çdo incident i këtij lloji duhet që zyrtarisht të hetohet”, tha Putin.
“Ne planifikojmë t’i drejtohemi trupave të OKB-së në Hagë dhe i bëjmë thirrje komunitetit global që të hetojë tërësisht këtë incident dhe të marrin vendime të balancuara, bazuar në rezultatin e hetimit”. Ai gjithashtu tha se Rusia ka pranuar informacione të inteligjencës për “provokime” të planifikuara, të përdorimit të armëve kimike, me qëllim që t’i vihet faji qeverisë siriane.
“Ne kemi informata nga disa burime se provokime të tilla janë duke u përgatitur në rajone të tjera të Sirisë, përfshirë këtu edhe në periferi të Damaskut, ku ata sërish po planifikojnë të hedhin ndonjë lloj substance, që të akuzojnë autoritetet siriane për një gjë të tillë”, tha Putin.
Presidenti rus gjithashtu ka thënë se ka dëgjuar se Shtetet e Bashkuara janë duke planifikuar sulme ajrore në periferi të Damaskut, por nuk dha asnjë dëshmi për një pretendim të tillë.
Rusia dhe Siria pretendojnë se gazi toksik që la të vdekur dhjetëra civilë në provincën Idlib më 4 prill, është liruar në ajër kur forcat qeveritare siriane kanë goditur një depo që kishte armë kimike, në zonën e kontrolluar nga rebelët.
