Botë
Sulmi në Siri, Tillerson takon Lavrovin, qëndrimet po njësoj
12.04.2017 14:47
Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson po zhvillon bisedime të ndjeshme në Moskë me homologun rus...

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson po zhvillon bisedime të ndjeshme në Moskë me homologun rus, pas sulmit kimik mbi civilët në Siri dhe reagimit amerikan me 59 raketa “Tomahaëk” të lëshuara drejt bazea ajrore siriane nga e cila u përhap helmi kimik.
Lavrov deklaroi se është e rëndësishme të mos lejohet një përsëritje e mësymjes amerikane në atë vend. Kryediplomati amerikan, pret që mosmarrveshjet mes dy vendeve të zvogëlohen .
“Kemi dëshmuar kohët e fundit disa veprime goxha shqetësuese, siç ishte ndërmarrja e një sulmi të padrejtë ndaj Sirisë. E kemi diskutuar këtë çështje edhe në telefon. Ne e konsiderojmë të një rëndësie kyçe shmangien e përsëritjes së lëvizjeve të tilla në të ardhmen”, shprehet ministri i jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov.
“Duke i sqaruar fushat, ku dallimet janë më të forta, do të arrijmë ta kuptojmë më mirë përse ekzistojnë këto mosmarrëveshje dhe cila mund të jetë perspektiva e zvogëlimit të tyre”, shprehet sekretari amerikan i shtetit Rex Tillesron.
Më herët presidenti Trump në një intervistë të realizuar në TV Fox theksoi se presidenti rus Putin, "përkrah një person i cili në të vërtetë është djall”.
“Realisht Putin po përkrah një person I cili në të vërtetë është djall dhe mendoj se kjo është shumë keq për Rusinë, mendoj se është e keqja e njerëzimit. Është shumë keq për botën. Kur hedh gaz apo fuci të bombave në mesin e njerëzve ndërsa në gjithë këtë tmerr sheh fëmijë pa duar dhe këmbë, pa fytyrë, kjo flet për një kafshë”, shprehet presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
Shtëpia e Bardhë akuzoi dje Moskën, për një fushatë që synon errësimin e natyrës së vërtetë të sulmit kimik të 4 prillit. Uashingtoni thotë se gazi i përdorur në atë rast ishte lëshuar në mes të një rruge, siç e tregojnë shenjat e djegies që ka lënë pas dhe jo në një ndërtesë.
Por Putin thotë se akuzat e Uashingtonit kundër qeverisë Siriane për sulmin kimik, ngjajnë në akuzat e mëhershme para se SHBA-të të pushtojnë Irakun në vitin 2003.
