Maqedoni
Vjedhja në Shkup, askush nuk e di ku janë mbi 3 milion eurot
12.04.2017 16:00
Edhe pse arkëtari që vodhi nga NLB Tutunska Banka, është arrestuar tashmë, askush nuk e di se ku janë 2.400.000 frangat zvicerane dhe 645.000 eurot e vjedhura...

Ende nuk është e qartë se si arkëtari ka arritur që pa u vërejtur nga askush, të dalë me qeset e mëdha me para nga banka. Edhe pas arrestimin i dyshuari nuk tregon se ku janë paratë.
MPB thotë se një pjesë e tyre, rreth 1 milionë franga, tashmë janë nxjerrë nga Maqedonia në drejtim të panjohur. Ndaj tij është ngritur padi penale për vjedhje dhe i është shqiptuar masë paraburgimi prej 30 ditëve.
“B.A (40 vjeç) nga Shkupi, dyshohet se si arkëtar në NLB Tutunska Banka, në disa raste radhazi, ka kryer vepër penale “evazion”, vepër kjo e dënueshme sipas nenit 353 nga Kodi Penal”, thonë nga MPB.
Banka ndërkohë siguron se edhe përkundër këtij rasti, paratë e klientëve të tyre, janë të sigurta.
“Klientët tanë nuk duhet të brengosen për mjetet e tyre, as për funksionim e bankës e as për punën operative të saj. Si çdo institucion ashtu edhe ne I kemi ndërmarë të gjitha aktivitetet për sigurimin e punës së përditshme të bankës. Edhe njëherë ju siguroj se kjo ngjarje nuk do të ketë pasoja në punën e bankës dhe mardhëniet e saj me klientët”, tha Antonio Argir, këshilli drejtues i NLB Tutunska Banka.
Nga kjo bankë presin rezultat të shpejtë dhe pozitiv të hetimit.
GAZMEND KURTISHI
