Botë
Serbia dhe Bosnja përballen me pasojat e vërshimeve
23.05.2014 17:28
Gjendja në rajonet e vërshuara në Serbi sot është stabile, ndërsa nata kaloi pa probleme në lumenjtë Sava dhe Danub...

Gjendja në rajonet e vërshuara në Serbi sot është stabile, ndërsa nata kaloi pa probleme në lumenjtë Sava dhe Danub. Në Beograd gjendja në të dy lumenjtë është stabile, në pritje të rritjes së nivelit të ujit gjatë ditës, theksojnë autoritetet e atjeshme.
Në Danub gjendja është nën kontroll të plotë. Niveli i ujit afër Bezdanit është nën kufirin e mbrojtjes së rregullt, ndërsa në Hungari është në rënie të mëtutjeshme.
Gjendja në vendet e vërshuara në Srem po qetësohet, por megjithatë rrethanat nuk janë të sigurta për kthimin e të evakuuarve, deklaroi koordinuesi i Shtabit të Krizës në Moroviq, Mlladen Kuribak. Pritet që sot banorët e evakuuar të Bariqit të kthehen në shtëpitë e tyre.
Ministria serbe e Punëve të Brendshme kumtoi se në qendrën e saj operative prej 18 majit e deri më sot është paraqitur zhdukja e 798 personave nga rajonet e rrezikuara nga vërshimet, prej të cilëve 215 janë gjetur. Ministria thekson se këto numra nuk janë të sakta, për shkak se disa qytetarë paraqesin zhdukje të të njëjtit person. Në rajonet e goditura nga vërshimet janë gjetur 27 viktima, prej të cilëve së paku dhjetë apo 11 kanë pësuar nga vdekja natyrore. Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se ripërtëritja e vendit do të zhvillohet në katër faza dhe se nga donatorët pritet një e katërta e parave të nevojshme.
Edhe Bosnja vazhdon të përballet me pasojat e vërshimeve, ndërsa në zonat e përmbytura vazhdojnë të arrijnë ndihmat. Një kontingjent ndihmash me ujë të pijshëm, ushqime, veshmbathje dhe artikuj higjenik janë nisur edhe nga Shqipëria në drejtim të Bosnjë-Hercegovinës.
HAMIDE IBRAIMI
