Maqedoni
Analistët: Takimi Rasmusen-Ahmeti tejet i Rëndësishëm
23.05.2014 17:32
Qeveria e Maqedonisë deri në shtator duhet të bëjë maksimumin që të anëtarësohet në NATO në samitin që do të mbahet në Britani të Madhe...

Qeveria e Maqedonisë deri në shtator duhet të bëjë maksimumin që të anëtarësohet në NATO në samitin që do të mbahet në Britani të Madhe, me qëllim që vendi t’i shmanget krizës së brendshme politike.
Kështu i komentojnë ekspertët mesazhet e paraqitura nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s dje në Shkup, i cili tha se Maqedonia fillimisht duhet të zgjidh emrin, e pastaj të anëtarësohet në NATO, ndërsa nga kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, kërkoi që të rrisë presionin ndaj partnerit qeveritarë për në NATO.
Ata thonë se takimin që zhvilloi dje Rasmusen edhe me kreun e BDI-së, nënkupton mesazh për disiplinim dhe presion të kryeministrit Nikolla Gruevski dhe VMRO-DPMNE-së.
“Ajo që është me rëndësi është takimi me liderin e BDI-së, do të ketë përmbajtjen e vetë më tutje, sigurisht se strukturat udhëheqëse të NATO-s dhe vetë Rasmusen do të mbajë takime më direkte me liderin e BDI-së, për të rritur presionin e brendshëm. Ata i kanë informacionet pavarësisht nga qasja, sjellja e BDI-së në këtë koalicion qeveritar, do jepet ose do merret fuqia e qeverisë së Gruevskit në momentin kur ata do të vlerësojnë bashkë me liderin e BDI-së dhe së pari duhet ta detronizojnë nga pushteti Gruevskin dhe të arrihet kompromis, të zgjidhet çështja e emrit dhe të merret ftesa për në NATO”, deklaroi analisti Ismet Ramadani.
“Unë mendoj se vetë takimi i sekretarit gjeneral të NATO-s me përfaqësuesin e partisë fituese shqiptare nënkupton mesazh të qartë se duhet të përfundoni me tolerancën e palës tjetër, e cila thuret në emocione kolektive, a në fakt fjala është për manipulim politik elektoral, flas për VMRO-DPMNE-në”, theksoi analisti Mersel Bilalli.
Ramadani, duke analizuar deklaratën e kryeministrit Gruevski të bërë dje pas takimit me Rasmusen, thotë se takimi teta-tetë Rasmusen-Gruevski ka qenë i ashpër.
“Këtu mund të kishte pasur ndryshim në takimin teta-tetë me Gruevskin. Sipas deklaratës së Gruevskit, këtu ka pasur një presion në bisedë, e cila mund të kishte qenë më ashpër edhe pse deklarata e Gruevskit ishte më e butë sa i përket zgjidhjes së emrit, pavarësisht se ai injorizon me qëndrimet e Greqisë”, tha analisti Ismet Ramadani.
Ramadani dhe Bilalli thonë se samiti i NATO-s mund të jetë alibi dhe tajming për Maqedoninë, ndërsa NATO në samitin e dhjetorit në Bukuresht ka miratuar konkluzë që u mbështet nga të gjitha vendet, se për anëtarësimin e Maqedonisë nuk duhet samit, por zgjidhje e çështjes së emrit.
AFRIM TANALLARI
