OKB, Rusia i vë sërish veto rezolutës për Sirinë
Rusia i vuri veto një projekt-rezolute në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, e cila do të dëntonte sulmin kimik...

Rusia i vuri veto një projekt-rezolute në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, e cila do të dëntonte sulmin kimik, që ka ndodhur javën e kaluar në Siri, dhe do të kërkonte nga Damasku të bashkëpunojë me hetuesit.
Rezoluta u paraqit nga Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, të cilat reaguan me zemërim ndaj vendimit të Rusisë.
Është hera e tetë që Rusia mbron regjimin sirian në Këshill të Sigurimit. Presidenti amerikan Donald Trump ka vlerësuar se Rusia po mbështeste një kafshë, në Sirinë e Bashar al Asadit.
Duke folur për rrjetin Fox Business, numri një i Shtëpisë së Bardhë ka shprehur zemërimin e tij për sulmin kimik në Siri, që la të vdekur 89 persona.
"Të shohësh këta femijë të bukur, që kanë vdekur në krahët e baballarëve të tyre, apo të tjerë që gulçojnë dhe të dish se ka marrë fund për ta. Putin po mbështet një kafshë", tha Trump.
E megjithatë, presidenti amerikan u kujdes të theksonte se Amerika nuk do të ndërhynte më tej në Siri.
Rezoluta e propozuar kishte për qëllim një hetim në terren nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike.
