Maqedoni

Saraji dërgon ndihma në Bosnjë

23.05.2014 17:38

Komuna e Sarajit në bashkëpunim me Shoqatën Qytetare “Shprehu” dhe “Kryqin e Kuq”...

Komuna e Sarajit në bashkëpunim me Shoqatën Qytetare “Shprehu” dhe “Kryqin e Kuq”, kanë organizuar aktivitet për mbledhjen e ndihmave që u dedikohen banorëve të Bosnjës që kanë pësuar dëme të mëdha për shkak të vërshimeve.
 
Aksioni ka vazhduar gjithë javën dhe ndihmat e grumbulluara përmbajnë kryesisht veshmbathje, ujë dhe artikuj ushqimor.
 
“Këto ndihma janë kryesisht veshmbathje, ujë, artikuj ushqimor dhe deri më tani ne kemi hapur pika në të gjitha vendbanimet, jemi të kënaqur, aksioni rrjedh brenda kësaj jave. Ne jemi të kënaqur që qytetarët apelit të Komunës i kanë dhënë një përgjigje pozitive si çdoherë”, deklaroi sekretari i Komunës së  Sarajit, Xhelal Jakupi.
 
“Në rajonet, të cilat janë të prekura dhe që kanë nevojë momentale për ndihmë dhe ne duhet të jemi pjesë e kësaj veprimtarie, kemi bërë aksione pothuajse në të gjitha vendbanimet e Komunës së Sarajit, për mbledhjen e ndihmave, të cilat më pastaj në koordinim me Komunën e Sarajit dhe “Kryqin e Kuq”, do të dërgohen nëpër vendet e caktuara në Bosnjë”, theksoi kryetari i Shoqatës “Shprehu”, Avni Aziri.
 
Kryetari i Shoqatës  qytetare “Shprehu”, apelon të gjithë banorët, biznesmenët dhe kompanitë e ndryshme, por edhe më gjerë, që kontributin e tyre ta drejtojnë përmes Komunës së Sarajit dhe shoqatës “Shprehu”.
 
Gjithashtu ai siguron të gjithë donatorët, bamirësit se ndihmat do të shkojnë në vend të duhur dhe këtu nuk ka vend për dyshime. Gjithashtu ata shprehin mirënjohje për të gjithë ata që kanë kontribuar për të ndihmuar banorët e Bosnjës.
 
VLORA LATIFI