Prishtinë, senatori amerikan John McCain viziton Kosovën
Në Prishtinë sot qëndron edhe senatori amerikan, John McCain, i cili pritet të takojë liderët e institucioneve dhe partive politike...

Nga Zyra e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, është bërë e ditur se senatori amerikan do të nderohet me çmimin “Urdhri i Lirisë”.
Ky çmim, senatorit McCain i ndahet për kontributin e tij në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe për rolin e tij në thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, që për Kosovën konsiderohet “aleat i përjetshëm”.
McCain do të takohet edhe me kryeministrin Isa Mustafa dhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.
Po ashtu, McCain pritet t’i drejtohet me një fjalim Kuvendit të Kosovës, i cili mblidhet në një seancë solemne pikërisht për senatorin amerikan.
Senatori republikan ka nisur nga 7 prilli një turne në Ballkanin Perëndimor, rajon ky, ku Rusia po përpiqet të rrisë ndikimin politik dhe ekonomik. Sarajevë, McCain ka thënë se është i shqetësuar me ndërhyrjen e Rusisë në çështjet e brendshme të Bosnje dhe Hercegovinës.
Kurse, gjatë qëndrimit në Beograd, McCain ka deklaruar se çdo gjë që ndodh në pjesën lindore të Evropës është e rëndësisë jetike për sigurinë e Shteteve të Bashkuara.
Senatori amerikan ka anashkaluar në këtë turne ballkanike Maqedoninë, që është pare si një porosi e fuqishme diplomatike për krizën në Maqedoni.
