Maqedoni
Maqedonia nuk mund të pranohet në NATO me FYROM
23.05.2014 17:42
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Andres Fog Rasmusen, ka hedhur poshtë spekulimet dhe shpresën e zyrtarëve se Maqedonia...

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Andres Fog Rasmusen, ka hedhur poshtë spekulimet dhe shpresën e zyrtarëve se Maqedonia mund të pranohet në NATO me referencën FYROM.
Vendimi i NATO-s për Maqedoninë i marrë në Samitin e Bukureshtit nga të gjitha vendet anëtare, është shumë i qartë, thekson Rasmusen në një intervistë për televizionin Telma, duke përsëritur vendimin se ftesa për anëtarësim do të bëhet pas zgjidhjes së kontestit rreth emrit.
“Vendimi ynë është shumë i qartë. E morëm që në vitin 2008. Në Samitin e NOTO-s në vitin 2008 vendosëm se jemi të gatshëm për bisedime për anëtarësim sapo të arrihet zgjidhje e pranueshme për emrin për të dyja palët”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Andres Fog Rasmusen.
NATO nuk ka në plan të ndryshojë kushtet dhe kriteret për zgjerim, pavarësisht dëshirës për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit perëndimor.
“Nuk mund të kompromitojmë kriteret dhe kushtet. Të gjitha vendet aspirante duhet të përkushtohen dhe të plotësojnë kriteret tona. Edhe për këtë bisedova me liderët politik këtu. Sa i përket Shkupit, qëndrimi ynë është i qartë. Jemi gati të fillojmë bisedimet kur të zgjidhet kontesti rreth emrit”, theksoi Rasmusen.
Njeriu i parë i NATO-s ka humbur besimin te zyrtarët vendas, prandaj nuk beson në premtimet se deri në Samitin e radhës do të ndërmerret diçka, pa parë diçka konkrete në tavolinë. Ai shprehu kënaqësinë nga përkushtimi i kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, për anëtarësimin e vendit në NATO.
“Përfundimisht nuk dua të ndërhyj në bisedimet për koalicionim. Por, me kujdes i dëgjova liderët politik. Me ta bisedova për aspiratat drejt NATO-s dhe jam shumë i kënaqur që z. Ahmeti është aq i përkushtuar për anëtarësim në NATO”, tha Rasmusen.
SHPËTIM NUREDINI
