Maqedoni
ShGM publikoi raportin për lirinë e mediave; Selmani, pushteti me para kontrollon mediat
13.04.2017 15:51
Gjendja e mediave gjatë vitit të kaluar është përkeqësuar. Ky është konstatimi i raportit të cilin e publikoi ShGM...

Gjendja e mediave gjatë vitit të kaluar është përkeqësuar. Ky është konstatimi i raportit të cilin e publikoi ShGM lidhur me gjendjen e lirisë së mediave në vend.
Sipas të dhënave që przentoi kreu i ShGM-së Naser Selmani, pushteti shfrytëzon të gjitha mekanizmat për të kontrolluar mediat.
“Nga të dhënat e marra mund të konstatohet lehtë se Qeveria i përdorë të gjitha instrumentet e pushtetit të kufizojë lirinë e shprehjes dhe të kontrollojë mediat. Ajo përdor politikën e “shkopit dhe karrotës” ndaj mediave. Mediat e dëgjueshme i shpërblen me para publike, ndërsa gazetarët që e kritikojnë vazhdimisht i sulmon dhe janë të ekspozuar presioneve të ndryshme”, shprehet kryetari i SHGM-së, Naser Selmani.
Sipas ShGM-së krahas moratoriumit formal për reklama qeveritare nga maji i vitit 2015, institucionet publike me arsyetime të ndryshme kanë shpenzuar shuma serioze parash në media.
“Nga të dhënat e grumbulluara shihet se ministritë dhe komunat në Maqedoni gjatë vitit të kaluar kanë shpenzuar rreth një milion e gjysmë euro në mediat e shtypura, online dhe në mediat rajonale dhe lokale. Rreth 400 mijë euro janë harxhuar në gjysmën e parë të vitit të kaluar, ndërsa mbi një milion euro janë planifikuar të shpenzohen gjatë gjysmës së dytë të vitit ”, shprehet kryetari i SHGM-së, Naser Selmani.
Sipas Selmanit në katër vitet e fundit, janë sulmuar mbi 40 gazetarë, ndërsa rreth gjysma e sulmeve kanë ndodhur në vitin 2016.
Raporti ka konstatuar uljen e padive për shpifje dhe ofendim kundër gazetarëve nënvizoi Selmani.
NAIM RAMADANI
