Botë
“Superbomba”, ShBA sulmon tunelet e ISIS në Afganistan
14.04.2017 12:14
Toka në rajonin afgan të Achin-it, është lëkundur në mënyrë të frikshme..

Toka në rajonin afgan të Achin-it, është lëkundur në mënyrë të frikshme, pas shpërthimit të asaj që njihet si “nëna e të gjitha bombave”. Bomba u hodh në një kompleks shpellash që besohet se përdoreshin nga luftëtarët e ISIS-it në qarkun Achin të provincës Nangarhar, shumë afër kufirit me Pakistanin.
Është hera e parë që Amerika përdor bombën më të madhe jo-bërthamore , e njohur si GBU-43, e që përmban 11 tonë eksploziv, kundër një objekti të Shtetit Islamik. Uashintgoni zyrtar thotë se ushtria mori të gjitha masat e nevojshme për të shmangur viktimat mes civilëve.
“Bomba u hodh në përgjigje të "përdorimit në rritje të bunkerëve dhe tuneleve" nga ISIS-i.Ky është municioni i duhur për të reduktuar këto pengesa dhe për të mbajtur gjallë ofensivën tonë kundër ISIS-it”, shprehet komandanti i forcave amerikane në Afganistan, John Nicholson.
Ministria e Brendshme afgane sqaroi se janë vrarë me dhjetëra militantë, por nuk është prekur asnjë civil.
“Bomba u lëshua mbrëmjen e së enjtes mbi pozicionet dhe shpellat që përdor Shteti Islamik. Ishte tmerrësisht e fuqishme, besoj i ka shkatërruar të gjithë tunelet dhe guvat e tyre”, shprehet guvernatori i ACHIN-it, Ismail Shinwari.
Krahu afgan i ISIS-it është përhapur në të gjithë provincën lindore në kufi me Pakistanin. Përmes degës së vet "Provinc Chorasan", grupi ekstremist synon vendosjen e kontrollit në Afganistan, Pakistan dhe në pjesë të vendeve fqinje.
Atij i përkasin anëtarë të shkëputur nga talebanët pakistanezë e afganë si dhe islamikë nga Uzbekistani. Bomba e përdorur nga Amerika, peshon 9 800 kg dhe konsiderohet si trupi më i madh shpërthyes konvencional i ushtrisë së SHBA-së.
GAZMEND KURTISHI
