Botë

Kërcënime për atentat ndaj Bashës, janë hedhur materie djegëse në oborrin e Qeverisë

14.04.2017 14:00

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani konfirmoi se, jeta e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Bashës...

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani konfirmoi se, jeta e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Bashës është e rrezikuar. Plani për të eliminuar fizikisht Bashën synon të destabilizojë Shqipërinë dhe rajonin.
 
Në emisionin "Arena", Nishani tha se, agjencitë e zbulimit kanë arritur të parandalojnë një ngjarje që është organizuar nga të huaj me qëllim destabilitetin e vendit.
 
"Nuk kemi vetëm miq, por ka edhe aktorë që synojnë destabilizimin e Shqipërisë dhe rajonit. Por ne kemi edhe institucione që tentojnë parandalimin e këtyre tentativave. Po. Ne kemi institucione që kanë kapacitetet të parandalojnë tentativën për destabilitet nga aktorë të jashtëm, por nuk duhet të mendojmë se nuk ekzistojnë tentative të tilla. Fakti i sigurisë së liderit të opozitës tashmë është duke u konsideruar dhe po konsiderohet me seriozitet nga agjensitë kryesore ligjzbatuese të shtetit", deklaroi Bujar Nishani.
 
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha prej disa ditësh shoqërohet nga një numër i madh rojesh personale dhe gardistësh.
 
Në media dje u publikua lajmi se, vrasës të huaj me pagesë janë kontraktuar për vrasjen e Lulzim Bashës, me qëllim destabilizimin e Shqipërisë dhe të rajonit.
 
Protestuesit e opozitës mbrëmë hodhën fishekzjarre e flakadanë ndaj godinës së kryeministrisë, pas lajmit se po përgatitet likuidim fizik i liderit të opozitës, Lulzim Basha, informon Albeu./MIA