Maqedoni

Zhbllokimi i kuvendit: Bilalli, konstituim jasht sallës

14.04.2017 17:14

Shumica e re parlamentare ka drejtë legale dhe legjitime por edhe detyrim që të mbrojë funksionimin e shtetit ligjor...

Shumica e re parlamentare ka drejtë legale dhe legjitime por edhe detyrim që të mbrojë funksionimin e shtetit ligjor që në konstituimin e Kuvendin dhe Qeverisë, thotë profesori universitar Mersel Bilalli.
 
Sipas tij, në situatë kur séanca konstituive po bastardohet nga pakica, shumica e re parlamentare mund të konstituojë Kuvendin dhe të zgjedh qeverinë e re në një hapësirë tjetër të Kuvendit.
 
“Unë mendoj se në kuadër të Kushtetutës dhe Rregullores, përmes interpretimit llogjik, mund ta kuptojmë se konstituim parlamenti dhe qeveri mund të bëjë shumica qoftë edhe në lokalitete të tjera jashtë sallës së seancës plenare, me ç’rast do të pasonte një njohje kolektive e shteteve perëndimore dhe SHBA-ve dhe ndërprerje të komunikimit dhe marrëdhënieve me përfaqësuesit aktual, të cilët momentalisht përfaqësojnë qeverinë dhe ministritë”, shprehet profesori universitar Mersel Bilalli.
 
Sipas Bilallit, opstruksioni i hapur i presidentit për të ndarë mandatin dhe ai i pakicës duke keqpërdorë pozicionin e kryesuesit të seancës konstituive ka ndihmuar opinionin të kuptojë se kjo qeveri në ikje shqetësohet më shumë për veten sesa për interesin shtetëror dhe të qytetarëve.      
 
“Jam i mendimit se shumë indikatorë çojnë drejt asaj se do të ketë zgjidhje të shpejtë të bllokadës, e cila është evidente për formimin e institucioneve vitale të funksionimit të shtetit. E para është evidente se përmes një obstruksioni shumë të hapur opinioni krijon bindje se kjo strukture, që ka menaxhuar me shtetin deri tani, pushtetin e trajton si problem vital të grupit, jo të popullit, qytetarëve dhe shtetit në tërësi”, shprehet profesori universitar Mersel Bilalli.
 
Bilalli është optimist se zhbllokimi i Kuvendit do të ndodhë brenda 10 ditësh, dhe se gjatë kësaj periudhe do të rritet edhe presioni ndërkombëtar, gati në formë ultimative.
 
Një ditë më parë deputeti i LSDM-së Lubço Nikollovski tha se shumica e re parlamentare prej 67 deputetë ka plan dhe strategji për të zhbllokuar Kuvendin dhe se do ta merr përgjegjsinë për zhbllokimin e të gjitha proceseve në shtet, zgjedhje të kryetarit të Kuvendit dhe qeveri reformuese dhe, kjo do të ndodh në harmoni me kushtetutën dhe rregulloren, në një të ardhme të afërt.
 
SHPËTIM NUREDINI