Maqedoni

MPB, masa shtesë të sigurisë në prag të festës; Ambasada Amerikane, apel qytetarëve amerikan kujdes gjatë Pashkëve

14.04.2017 17:55

Ministria e Punëve të Brendshme ka shtuar masat e sigurisë në të gjitha nivelet shtetërore në prag të festave të Pashkëve...

Sipas qëndrimin zyrtarë të këtij dikasteri, veprimet e tilla burojnë nga informacionet operative mbi ndonjë sulm të mundshëm dhe kanë për qëllim ruajtjen e rendit publik. Në fokus janë objektet fetare.

Duke mos u lëshuar në detaje, nga MPB thonë se po merren parasysh kërcënimet nga sulmet e mundshme terroriste të paralajmëruara nga Shteti Islamik.

Ndërkohë edhe Ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup, përmes faqes zyrtare, kanë këshilluar qytetarët amerikanë të kenë kujdes të veçantë gjatë Festës së Pashkëve.

“Terroristët në rajon më parë kanë pasur caqe objektet e ndjeshme, përfshirë kishat dhe objektet e kulteve tjera, qendrat e këmbësorëve, arenat sportive, sallat e koncerteve dhe tubimet publike. Rishikoni planet tuaja të sigurisë: rrini të vetëdijshëm për vendndodhjen tuaj, përfshirë edhe ngjarjet lokale dhe shikoni televizionet për përditësim të lajmeve”, thuhet në sugjerimin që Ambasadat amerikane u japin qytetarëve të tyre në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni.

Ashtu sie dhe policia e Maqedonisë edhe policia në Kosovë dhe Shqipëri, kanë njoftuar se po i ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e qytetarëve gjatë festave.