Botë
Koreja e Veriut gati për “sulm nuklear”, demonstron forcën
15.04.2017 15:55
Koreja e Veriut ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuar të mos ndërmarrin veprime provokative në rajon, pasi kundërpërgjigja do të jetë me sulme nukleare...

Këto komente vijnë në një kohë kur vendi feston 105-vjetorin e lindjes së presidentit themelues, Kim Il-sung. Ushtarë, tanke dhe të tjera mjete ushtarake parakaluan në Penian, në një shfaqje të fuqisë, e cila ka ngjallur spekulime se lideri aktual, Kim Jong-un, mund të urdhërojë një tjetër test nuklear. Edhe zyrtarë të ushtrisë koreano-veriore paralajmërojnë se vendi është i përgatitur t’i përgjigjet luftës me luftë.
Në ekspozim për herë të parë, ishin edhe raketa balistike nënujore, të cilat mund të zhvillohen më tej për të strehuar koka bërthamore raketash që mund të arrijnë shënjestrat e tyre përqark botës. Eventi bëri të qartë rëndësinë e programit nuklear të shtetit për ambiciet e të ardhmes, teksa koreano-veriorët vijojnë të shpërfillin presionin në rritje nga Shtetet e Bashkuara për të braktisur këtë program të armëve bërthamore. Ekspertët dhe zyrtarët qeveritarë besojnë se vendi po punon për të zhvilluar raketa që mund të mbërrijnë pikërisht në Shtetet e Bashkuara.
Ndërkohë, Kina, e vetmja aleate e Koresë së Veriut, i trembet një konflikti të mundshëm që mund të çojë edhe në rrëzimin e regjimit dhe në probleme kufitare.
