Botë
Sri Lanka, rrëshqitje toke, 16 viktima
15.04.2017 19:29
Të paktën 16 persona, përfshirë 4 fëmijë, kanë mbetur të vdekur pasi një rrëshqitje toke në Sri Lanka, bëri që një grumbull gjigand mbeturinash të shembte shtëpitë e tyre....

Grumbulli, 91 metra i lartë, i mbeturinave të kalbura ishte zhvendosur për shkak të përmbytjeve dhe një zjarri që kishte rënë të premten.
Të paktën 40 shtëpi në prag të këtij grumbulli u shkatërruan, ndërkohë që fëmijët që ranë viktima i përkisnin moshave 11-15 vjeç.
Banorët e kësaj zone në kryeqytetin e Kolombos prej kohësh kishin shprehur shqetësimet e tyre lidhur me sigurinë. Sipas mediave, rreth 800 ton mbetje shtoheshin përditë në këtë vend të grumbullimit të plehrave, që qeveria kishte planifikuar ti hiqte.
Zyrtarë të emergjencës u shprehën se rreth 20 persona mund të jenë të bllokuar në shtëpitë e tyre, ndërkohë që ushtria e vendit po koordinon operacionin e shpëtimit. Bilanci i viktimave mund të kishte qenë akoma më i madh, në rast se shumë persona nuk do të ishin larguar nga shtëpitë e tyre me rënien e zjarrit.
Ky incident ndodhi gjatë kohës kur vendi po festonte Vitin e Ri Singalez, një festë e rëndësishme në Sri Lanka.
