Botë

Turqit votojnë për ndryshimet kushtetuese

16.04.2017 12:42

Turqit janë duke votuar në referendum, që do të vendosë nëse vendi do të ndryshojë Kushtetutën...

Turqit janë duke votuar në referendum, që do të vendosë nëse vendi do të ndryshojë Kushtetutën për të krijuar sistemin presidencial – një lëvizje kjo që mund t’i jap presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan fuqi të reja dhe ta lejojë atë të qëndrojë në pushtet edhe për më shumë se 10 vjet të tjera.
 
E ardhmja e marrëdhënieve tashmë të tensionuara në mes të Bashkimit Evropian dhe Turqisë janë në rrezik dhe analistët parashikojnë se një fitore për Erdoganin mund të çojë në një ndërprerje të marrëdhënieve mes Ankarasë dhe Brukselit.Turqit do të votojnë për 18 amendamente kushtetuese. Vota me “po” ose “jo” për këto ndryshime kushtetuese mund që të dobësojë Parlamentin e Turqisë, të eleminojë postin e kryeministrit, dhe t’i jap presidentit më shumë kontroll mbi gjyqësorin.
 
Për të kaluar këto ndryshime kushtetuese duhet vetëm një shumicë e thjeshtë.Sondazhet e publikuara, vetëm disa ditë para referendumit, kanë sugjeruar se shumica e turqve do të votojnë në favor të amendamenteve – që mund të çojë në ndryshimet më të mëdha të sistemit qeverisës në Turqi, që prej themelimit të republikës moderne më 1923.
 
Erdogan, në ditën e fundit të fushatës për referendum, ka thënë në një tubim në Stamboll se vota “Po” do të “përfundonte punën e nisur më 15 korrik”, një referencë kjo për grushtshtetin e dështuar të vitit të kaluar.
 
Udhëheqësia e partisë opozita Partia e Lëvizjes Kombëtare, gjithashtu ka bërë thirrje për votën “Po”, pasi kanë arritur një marrëveshje, me partinë e Erdoganit. Ndërkaq, partia e dytë turke, Partia Popullore Republikane, ka bërë fushatë kundër ndryshimeve kushtetuese, të cilat, nëse miratohen, do të hyjnë në fuqi më 2019.
 
Grupi opozitar pro-kurd, Partia Popullore Demokratike, gjithashtu ka kundërshtuar amendamentet, duke thënë se ato janë jodemokratike dhe do të shkelnin parimet e pavarësisë së gjyqësorit.Rreth 55 milionë njerëz kanë të drejtë vote në këtë referendum për ndryshime kushtetuese. Ata mund të votojnë në 167 mijë qendra të votimit në mbarë vendin.