Botë

Turqi, opozita konteston rezultatin e referendumit

17.04.2017 09:12

Partia kryesore e opozitës në Turqi kërkon rinumërim të votave pas rezultatit të ngushtë të referendumit të së dielës...

Partia kryesore e opozitës në Turqi kërkon rinumërim të votave pas rezultatit të ngushtë të referendumit të së dielës, që i jep Presidentit Rexhep Taip Erdogan fuqinë ta zgjerojë ndjeshëm pushtetin e tij.
 
Partia Popullore Republikane (CHP) ka ngritur pretendimin se procesi zgjedhor pati parregullsi të mëdha. Përpjekja e Erdoganit për presidencë ekzekutive arriti të triumfojë me vetëm pak më shumë se 51% të votave. 
 
Fitorja e tij u prit në të gjithë Turqinë sa me festime, aq edhe me protesta. CHP-ja refuzon ta pranojë triumfin e Po-së dhe kërkon rinumërimin e 60% të votave, duke kritikuar sidomos vendimin për t’i konsideruar të vlefshme fletëvotimet e pavulosura. 
 
Tre qytetet më të mëdha të vendit, Stambolli, Ankaraja dhe Izmiri, i thanë “Jo” ndryshimeve kushtetuese. Mbështetësit e opozitës dolën menjëherë nëpër rrugët e Stambollit duke përplasur tenxhere e tiganë, një formë tradicionale proteste kjo, ndërsa demonstrata të tilla të zhurmshme pati edhe në zona të tjera./Top Channel