Maqedoni

Të martën rimblidhet Kuvendi, vazhdojnë akuzat VMRO-LSDM

17.04.2017 11:43

Pas pushimit pesëditor, Kuvendi të martën duhet ta vazhdojë seancën konstitutive ku do të debatohet për zgjedhjen e Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve...

Fillimi i vazhdimit të 13 i seancës konstituive është caktuar për në orën 11. Edhe në ditën e dytë të Pashkëve, VMRO nuk ka ndaluar së kërkuari nga Partia e Zaevit që të heqë dorë nga ajo që VMRO e quan “Platforma e Tiranës”.

VMRO-DPMNE-ja, përmes një kumtese, sërish akuzoi se lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, kundër vullnetit të qytetarëve e ka pranuar platformën e Tiranës. Nga VMRO thonë se kjo gjë është konfirmuar edhe nga deputeti i LSDM-së, Muhamed Zeqiri, dhe nga kreu i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela.

“Zijadin Sela është njeriu nga i cili varet shumica e ardhshme qeveritare e Zaevit dhe i cili publikisht thotë se populli maqedonas para 100 viteve nuk ka ekzistuar, se nuk e pranon flamurin dhe himnin maqedonas dhe se dëshiron t’i ndryshojë edhe ato edhe Kushtetutën. Zaev hesht në deklaratat e tilla të partnerit të tij të ardhshëm qeveritar, siç ka heshtur edhe ai dhe LSDM-ja në deklaratat antishtetërore të Edi Ramës dhe Ditmir Bushatit”,- theksojnë nga VMRO-DPMNE, nga e cila akuzojnë se qytetarët janë të mashtruar pas zgjedhjeve, sepse Zaev iu ka servuar diçka për çka nuk kanë votuar në zgjedhje.

“Qytetarët janë kundër çdo platforme të huaj dhe përzierje në punët e brendshme të Maqedonisë”,- theksohet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.

Nga LSDM përsërisin se shumica parlamentare prej 67 deputetëve, e zgjedhur në zgjedhje kredibile, do ta zgjedh kryetarin e ri kuvendor, ndërsa pastaj edhe qeverinë e re reformuese, e cila thonë se do të ndodh shumë shpejt, sipas Rregullores, Kushtetutës dhe ligjeve.

“Ekziston shumicë legjitime e formuar parlamentare, e cila është pushtet në shtet, prapa së cilës qëndrojnë të paktën 700.000 qytetarë të cilët kanë zgjedhur ndryshime në regjim. Kjo shumicë ka detyrim ta zbatojë vullnetin qytetar”,- thonë nga LSDM.

Sipas partisë së Zaevit, qytetarët më 11 dhjetor të vitit 2016 i kanë zgjedhur ndryshimet, ndërsa VMRO-DPMNE është opozitë e cila duhet të mundësojë transfer të qetë të pushtetit e që është porositur edhe bashkësia ndërkombëtare. Seanca konstitutive e Kuvendit filloi më 30 dhjetor të 2016, por u ndërpre sepse nuk u sigurua shumica parlamentare për zgjedhjen e kryetarit të shtëpisë ligjdhënëse.

MERAL ISMAILI