Botë
“Evet” për Erdoganin, ndryshimeve që do të pësojë Turqia
17.04.2017 12:06
Erdogan arriti që të hedhë hapin më të rëndësishëm në projektin e tij për ndryshimin e sistemit qeverisës duke marrë një rezultat pozitiv...

Erdogan arriti që të hedhë hapin më të rëndësishëm në projektin e tij për ndryshimin e sistemit qeverisës duke marrë një rezultat pozitiv, ndonëse minimalisht, në referendumin e së dielës. Por, çfarë do të ndodhë tashmë me Republikën turke?
Kushtetuta e Turqisë do të pësojë një ndryshim rrënjësor, pasi propozimet e Erdoganit konstatonin në ndryshimin e 18 neneve që janë aktualisht në fuqi.
Duke qenë se roli i presidentit do të tjetërsohet, Erdogan do të mund të qëndrojë në pushtet deri në vitin 2029. Ndryshimet parashikojnë edhe rritjen e numrit të deputetëve nga 550 në 600.
Procesi zgjedhor tashmë do të unifikohet, ose thënë ndryshe presidenti dhe anëtarët e parlamentit do të zgjidhen brenda një dite. Presidenti i ardhshëm i Turqisë do të ketë një rritje të ndjeshme të pushtetit në të tjera degë të tij. Ai do të mbajë rolin e kreut të shtetit por edhe të kreut të qeverisë.
Në fushën ekzekutive dhe legjislative, presidenti do të jetë i aftë të miratojë dekrete ekzekutive, të cilat mund të kundërshtohen me një shumicë të thjeshtë në parlament, që do të thotë me 301 vota kundër në parlamentin 600 vendesh.
Ai gjithashtu do të ketë të drejtën për të emëruar dhe shkarkuar zëvendëspresidentët dhe ministrat. Kundërpesha kryesore e pushtetit të presidentit do të jetë parlamenti, i cili do të shqyrtojë aktet e tij, të cilat mund t’i shfuqizojë me një votë kundër. Gjithashtu, shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme përtej 2019-ës do të kërkojë mbështetjen nga parlamenti.
Shqetësimi më i madh për partitë opozitare ka qenë roli i konsiderueshëm që do të marrë presidenti në pushtetin gjyqësor.
Me Kushtetutën e re, Bordi i Gjykatësve dhe i Prokurorëve nuk do të ketë më 22 anëtarë por vetëm 13. Nga këta, 4 anëtarë do të zgjidhen direkt nga presidenti, 7 do të zgjidhen nga asambleja, një prej tyre do të jetë ministri i Drejtësisë, ndërsa tjetri nënsekretari i kësaj ministrie.
Nga kjo skemë, praktikisht gjashtë anëtarë të këtij institucioni janë njerëz të emëruar direkt nga presidenti, ndërkohë që 7 emërohen me shumicë të cilësuar në parlament, kur gjithashtu presidenti është i predispozuar të gëzojë shumicë parlamentare. E njëjta gjë ndodh edhe në Gjykatën Kushtetuese, ku nga 15 anëtarë në total, kreu i ardhshëm i shtetit dhe i ekzekutivit do të zgjedhë 12 nga 15 anëtarë, ndërkohë që tre i mbeten parlamentit.
MIGENA GORENCA
