Botë
Erdogan sulmon Perëndimin: duan të dështojmë, por ne nuk dështuam; KE: ruani unitetin, zbatoni obligimet si shtet kandidat për në BE
17.04.2017 13:14
Në fjalimin e tij të fitores, Erdogan nuk ka harruar mesazhet për perëndimorët...

Në fjalimin e tij të fitores, Erdogan nuk ka harruar mesazhet për perëndimorët, në retorikën që jemi mësuar ta shohim shpesh në muajt e fundit.
“Uroj më të mirat për rezultatin e sotëm, i cili parashikon ndryshime kushtetuese. Sa i përket opinionit të të tjerëve, ata duhet ta respektojnë vendimin tonë. Shumë duan që Turqia të dështojë, por unë ju siguroj se Turqia nuk do të dështojë”,- ka deklaruar Erdogan.
I menjëhershëm ishte edhe reagimi i Bashkimit Europian. Në një deklaratë zyrtare, Komisioni kërkoi që përballë këtij rezultati thuajse të barabartë është mjaft e rëndësishme që Turqia të ruajë unitetin kombëtar si dhe të bëjë të pamundurën për të evituar përçarjet mes qytetarëve.
Shtetet perëndimore gjithsesi kanë shprehur shqetësimin e tyre për referendumin, duke thënë se ndryshimet kushtetuese do të vendosin shumë pushtet në duart e presidentit, një ndër vendimet e para të të cilit duket se do të jetë rikthimi i dënimit me vdekje, gjë e cila do të bllokonte në mënyrë automatike, rrugën e Turqisë për t’iu bashkuar BE-së.
Turqia hoqi dënimin me vdekje më 2014, si pjesë e përpjekjeve për t’u anëtarësuar në bllok. Komisioni Evropian ka thënë se do të vlerësojë zbatimin e ndryshimeve kushtetuese në dritën e obligimeve të Turqisë si shtet kandidat për t’iu bashkuar BE-së dhe Këshillit të Evropës.
“Ne gjithashtu i bëjmë thirrje autoriteteve turke që të kërkojnë një konsensus kombëtar për zbatimin e tyre”,- ka thënë Komisioni Evropian.
