Maqedoni
Vrasja e 17 vjeçarit në Matkë, dy të arrestuar, paraburgim për 19 vjeçarin, nënat e Sarajit protestuan kundër dhunës
17.04.2017 14:26
Autoritetet policore kanë arrestuar dy të rinj të dyshuar për vrasjen e së shtunës të një 17 vjeçari në Matkë të Shkupit...

Për të dyshuarin e parë si autor të drejtpërdrejtë të vrasjes është caktuar paraburgim prej 30 ditësh. Për të dyshuarin e dytë për pjesëmarrje në rrahje është caktuar masa për kujdes, ndalesë për dhënien e pasaportës, ndalesë për ta lëshuar vendbanimin, ndalesë që të iu afrohet disa personave konkret dhe detyrim për paraqitje në gjykatë.
Nga Prokuroria informojnë se presin rezultatet nga obduksioni i viktimës dhe rezultatet e analizave të AND-së bashkë me ekspertizën e të gjitha gjurmëve.
Ndërkohë, nënat e komunës së Sarajit, duke marrë si shkas këtë incident, protestuan sot kundër dhunës dhe krimit të organizuar. Ato shprehën shqetësimin e tyre në lidhje me pasigurinë e fëmijëve si dhe incidentet e njëpasnjëshme, ku në të shumtën e rasteve viktima janë fëmijët dhe të rinjtë.
“Ne sot i bëjmë apel komisionit kompetent në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe vetë kësaj ministrie që të mbrohet rendi dhe qetësia publike në shoqëri dhe të marrin masa parandaluese që gjatë vikendeve të ketë patrullime policore më të shpeshta, sidomos nëpër vendet rekreative, sportive, turistike, vende ku incidentet janë më të shpeshta. Gjithashtu duam që nëpër shkollat fillore dhe të mesme si organe të jenë prezente dhe të organizojnë projekte edukative për dhunën, llojet e dhunës dhe dënimet që pasojnë nga mosrespektimi i rregullave ligjore”,- deklaroi protestuesja, Nulifer Sali.
Incidenti i së shtunës në Matkë filloi me një zënkë banale të tre djemve nga Shishova me një djalë nga Saraji, i cili pas fjalëve u sulmua edhe fizikisht. 17 vjeçari thirri në ndihmë vëllanë e tij që mbeti i lënduar gjatë zënkës.
Zënka përfundoi tragjikisht me një të mitur të vdekur, një adoleshent të lënduar me armë thike në pjesën e gjoksit dhe të rinjtë e tjerë që akuzohen njëri drejtpërdrejt për vrasjen e tjetri për pjesëmarrje në një rrahje që përfundoi tragjikisht.
GAZMEND REXHEPI
